Përpjekjet e fundit për zgjedhjen e presidentit

05 mars 2026 | 10:53

Lëvizja Vetëvendosje (LV), parti në pushtet, e ka kandiduar Glauk Konjufcën, aktualisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, për pozitën e presidentit.

Por, për t’u thirrur seanca nevojitet edhe një kandidat i dytë, që duhet propozuar me sigurimin e 30 nënshkrimeve.

LV-ja ka thënë se ka gatishmëri t’ua sigurojë nënshkrimet edhe partive opozitare nëse kanë ndonjë kandidat për president, por ato nuk kanë përmendur ndonjë emër konkret.

Kjo parti ka thënë se nënshkrimet ia ka ofruar edhe presidentes aktuale, Vjosa Osmani, e cila synon një mandat të dytë, por që ajo ka refuzuar.

Presidenca ka dalë me qëndrimin që këto deklarata janë gënjeshtra.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se shpreson që do të paraqitet një kandidaturë e dytë për president të Kosovës, në ditën e fundit të afatit kushtetues për ta zgjedhur kreun e ri të shtetit.

Këtë deklaratë, Kurti e bëri pas mbledhjes solemne të Qeverisë, në mëngjesin e 5 marsit, për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Pasdite duhet t’i vazhdojmë përpjekjet që ta zgjedhim presidentin. Urojmë, besojmë, shpresojmë edhe në një kandidaturë të dytë, në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, tha ai.

Konjufca, zëvendëskryeministër aktual dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, tha pas mbledhjes së Qeverisë se do të ishte mirë që edhe opozita të dilte me një kundërkandidat.

“Partitë politike, PDK-ja [Partia Demokratike e Kosovës] dhe LDK-ja [Lidhja Demokratike e Kosovës], duhet të përcaktohen që, nëse nuk e votojnë Glauk Konjufcën, kë do ta votojnë? Për besë, nëse e propozojnë ndonjë emër, ndoshta edhe unë e votoj”, tha ai.

Sipas tij, opozita mund ta propozojë edhe presidenten aktuale, Vjosa Osmani.

Çka parasheh Kushtetuta?

Në nenin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit thuhet se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars, para se Vjosa Osmani ta përfundojë mandatin e saj më 4 prill.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë një ditë më parë se edhe nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin deri më 5 mars, vendi nuk do të përballet domosdo me zgjedhje.

Sipas tij, nëse nuk përmbushet ky afat 30-ditor, bëhet shkelje kushtetuese, por nuk ka pasojë juridike sikurse është shkuarja në zgjedhje. Miftaraj thotë se nuk ekziston një nen ku mund të bazohej dekreti për shpërndarjen e Kuvendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arif Molliqi (Meditim për heroin) “Nëse vritem më i madh…