Shefja e stafit të Osmanit: Akuzat për “puç” janë propagandë dhe shpifje

07 mars 2026 | 20:58

Shefja e stafit të Presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, ka reaguar ndaj fryrjes së narrativës nga deputetë të VV-së për kinse plan të organizuar nga Presidentja për rrëzimin e Qeverisë, duke i cilësuar ato si pjesë të një fushate shpifjesh të qëllimshme “për interesa të momentit”.

Përmes një reagimi në Facebook, ajo i ka quajtur këto pretendime “shpifje”, duke hedhur poshtë çdo aludim për përfshirjen e Presidentes në skenarë politikë, qoftë me aktorë të brendshëm apo të jashtëm.

Sipas saj, përpjekjet për ta lidhur Presidenten Osmani me “puç, skemë apo plan të organizuar” nuk janë vetëm të pavërteta, por edhe dëshmi e një mendësie që, për interesa të çastit, është e gatshme të dëmtojë vetë shtetin.

“Shpifjet që po qarkullojnë për kinse puç, skemë apo plan të organizuar nga Presidentja Vjosa Osmani për rrëzimin e Qeverisë, qoftë në bashkëpunim me Ramën, Grenellin, Vuçiqin, apo me opozitën, nuk janë vetëm të pavërteta por edhe produkt i një mendësie e cila për interesa të momentit, është e gatshme të dëmtojë edhe vetë shtetin.

Presidentja Osmani nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të bëhet kurrë pjesë e skenarëve të tillë. Për të, politika nuk është terren i komploteve, por përgjegjësi ndaj Republikës, kushtetutës dhe qytetarëve tanë.” – shkroi ajo.

Në reagim thuhet po ashtu se, në kohën kur “shpifjet tentojnë të paraqiten si narrativë politike”, Presidentja nuk mbështetet në makineri propagandistike, por në atë që, sipas saj, është më e fortë se çdo propagandë: “në të vërtetën vetë.”

“Në një kohë kur shpifjet tentojnë të paraqiten si narrativë politike, Presidentja nuk mbështetet në makineri propagandistike për të imponuar të vërtetën e saj. Por ajo mbështetet në diçka më të fortë: në të vërtetën vetë.

Koha gjithmonë i ndan qartë faktet nga propaganda. Qytetarët e Kosovës do ta kuptojnë qartë se çfarë qëndron pas gjithë kësaj zhurme. Sepse në fund, propaganda do të zbehet, ndërsa e vërteta do të mbetet.” – thuhet më tej në reagim.

Kujtojmë se, pasi Presidentja Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, me arsyetimin se afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri kishte skaduar më 5 mars, deputetët e Vetëvendosjes kanë nisur që nga dje një fushatë kundër saj.

Të përballur me reagime dhe kritika të shumta nga mbështetësit e tyre për shkak të moskandidimit të Osmanit, ata kanë intensifikuar sulmet, duke promovuar narrativën e një “skeme për ta rrëzuar kryeministrin Albin Kurti”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një rast i paprecedent ka ndodhur sot në Ferizaj. Derisa…