5, 6 dhe 7 marsi – tri ditët historike në rrëfimet e ish-luftëtarëve të UÇK-së (VIDEO)
Emisioni “Info Magazine” në Klan Kosova mbrëmë erdhi me një edicion të veçantë drejtpërdrejt nga Prekazi, në kuadër të përmbylljes së aktiviteteve për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Programi special iu kushtua kujtimit të sakrificës dhe rezistencës së familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, ndërsa nga studioja e vendosur në Prekaz u sollën rrëfime dhe kujtime nga bashkëluftëtarë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Xhevahir Geci, bashkëluftëtar i komandantit legjendar Adem Jasharit, ndau kujtimet e tij për ditët historike të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, duke treguar për rrethimin e fshatrave të Drenicës nga forcat serbe.
“5, 6, 7 marsi ka domethënie shumë të madhe për neve, kujtimet na rikthejnë për 28 vite mbrapa. Ka çka të kujtohet mjaftueshëm, ka çka flitet mjaftueshëm. Ka qenë një periudhë jo e zakonshme për neve, një forcë jashtëzakonisht e madhe. Ushtria serbe, në atë kohë, u përfol se ka rrethuar afër 7 mijë trupa, nga Tërnavci, nga Morina, dhe kemi qenë të bllokuar të gjithë fshatrat e Drenicës. Më 4 mars kemi marrë informacion se Llausha do të rrethohej, ashtu e kemi pritur. Një pjesë e policisë serbe e ka rrethuar pjesën e Llaushës, dhe ushtarët e parë u vranë, përfshirë Miftar Rrecin të Llaushës, i cili ka qenë pjesë e rojës atë natë”, tha Geci për Klan Kosova.
Ai rrëfeu edhe për bisedat e fundit të Adem Jasharit para përballjes me forcat serbe.
“Dajë, përhajr na qoftë lufta”, ka bisedu me Shani Gecin, është bashkëfshatar i yni, Shani Geci e ka pasë telefonin në shtëpi, Ademi ka marrë informacione se po vijnë forca policore serbe nga Llausha. E ka thirr në telefon dhe i ka thënë a janë çu ata djemtë, a janë në vendin ku duhet, gjoja a janë çu për me dal në pozicione. Kur e ka kuptuar, Shaniu se ne kemi dalë në pozicione, e ka thirr Ademin i ka thënë kqyrni se edhe prej anës suaj janë t’u ardh shumë”.
“Ademi është lajmëruar, ka biseduar me Shani Gecin për së dyti herë dhe i ka thënë: përhajër na koftë lufta se edhe prej neve janë t’u ardh”, rrëfeu mes tjerash Geci.
Ndërkaq, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, foli për përhapjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas masakrës së familjes Jashari në mars të vitit 1998.
“Suksesi më i madh ka qenë pas masakrës së familjes Jashari në mars të vitit 1998. Pas asaj që ndodhi me komandantin, brenda dy javësh, diku rreth 20 ditë më pas, filloi lufta edhe në Gllogjan. Pastaj lufta filloi të përhapej në të gjithë Kosovën, në Llap, në Gollak e në zona të tjera”, tha Gucati.
Ai theksoi se në atë kohë kishte një vullnet të madh të të rinjve për t’iu bashkuar UÇK-së.



