Ymeri me kritika: Kurti nuk do me qeverisë, por me sundu
Analisti politik, Visar Ymeri ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj qeverisjes, duke thënë se sipas tij, Kurti nuk është i interesuar të qeverisë por të mbajë pushtetin pa kontroll të plotë institucional.
Ymeri në “VV Show” deklaroi se, sipas mendimit të tij, Kurti “nuk po do me qeverisë dhe nuk di me qeverisë sipas asaj që ne e kuptojmë qeverisjen dhe politikbërjen”, por kjo, sipas tij, nuk do të thotë se ai nuk e dëshiron pushtetin.
Përkundrazi, Ymeri tha se Kurti synon sundimin politik, gjë që sipas tij bëhet më e lehtë kur institucionet që duhet të monitorojnë qeverinë nuk funksionojnë plotësisht.
“Janë disa faktorë për mendimin tem. E para është që Kurti nuk po do me qeverisë, nuk di me qeverisë sipas asaj që na e kuptojmë qeverisjen dhe politikbërjen mirëpo kjo nuk nënkupton që Kurti nuk po do pushtet. Kurti po do me sundu e sundimi i mundësohet dikujt që do me sundu vetëm duke mos pas insitucione të cilat e kanë përgjegjësu me monitoru punën e qeverisë, Kuvendi, Presidenca po ashtu ka një rol të caktuar në këtë drejtim”.
Sipas Ymerit, synimi i Kurtit është që të zgjasë sa më shumë periudhën si kryeministër në detyrë.
“Kurti mbetet kryeministër në detyrë, synimi i tij është me stërzgjat këtë periudhë me Gjykatë Kushtetuese. Dhe në këtë drejtim, për të është një situatë që ngjason me vitin e kaluar ai na e përsëriste shpesh që Kosova nuk ka Kuvend dhe Qeveri, dhe këtë e do ai, me qenë kryeministër i pakontrolluar, pa penguar. Me pas buxhetin me shpërnda buxhetin qysh tdon. Ka me i nda ka 100 euro për Bajram..Kur e ki një parti politike dhe një kryeministër që e ka të qartë ka do me shku vendi, ai ka nevojë për institucione që me ba në mënyrë të ligjshme, kur nuk e ke këtë ide, institucionet mujn me qenë pengesë. Kërkesa për llogaridhënie është pengesë”.



