Osmani: Mua më thuhej provo binde opozitën për vota, prapa shpinës sime punohej me kandidatë tjerë
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se nuk është e vërtetë që ka refuzuar nënshkrimet e Vetëvendosjes për kandidaturë, por tha se kjo parti i ofroi që të futet si kandidate vetëm formalisht në garë, si oponente e Glauk Konjufcës, shkruan Reporteri.net.
Osmani tha se nuk e ka kushtëzuar Kryeministrin Albin Kurti me asgjë edhe për një mandat, por e tëra që ka kërkuar ishte vetëm shanca që të shkohej deri në sallë dhe të provohej.
Deklaroi se vetë Kryeministri Albin Kurti ia kishte komunikuar se nuk e përkrahin.
“Mu tha eja futu si kandidate vetëm formalisht, si oponente e z.Konjufca… dhe ta shohim se si po rrjedhë…Do të ishte absurde që të futem në një garë të tillë sa për sy e faqe, sa për t’u bërë korum, e asesi për t’u zgjedhur, asesi për ta marrë përkrahjen… Unë nuk kandidoj nga rruga, por nga ky institucion që e kam drejtuar më shumë se pesë vite… S’është dashur të bëhej një lojë e tillë me institucionin”, ka deklaruar Osmani.
Ajo tha se përderisa i kërkohej të punonte me opozitën për të siguruar vota, “prapa shpinës” punohej me kandidatë tjerë.
“Absolutisht nuk e kam kushtëzuar asnjëherë. E tëra që kam kërkuar apo propozuar është që të më jepet një shancë që të shkojmë në sallë, e të shohim sa deputetë do të mblidhen….Prapa shpinës time punohej me shumë kandidatë tjerë. Unë e kuptoja nga televizioni që po punohet me kandidatë të tjerë, përderisa mua më thuhej provo, provo me i bindë opozitën”, ka thënë Osmani.
Më pas tha se iu kërkuar që t’i sigurojë 85 vota, ndonëse nuk ishte i nevojshëm ky numër.



