AUV-i tërheq nga tregu ‘Aptamil 1’ dhe ‘Aptamil 2’
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar për tërheqjen parandaluese nga tregu të disa loteve të formulës për foshnje “Aptamil 1” (830 g) dhe “Aptamil 2” (830 g), pas një njoftimi të pranuar përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF).
Sipas njoftimit, alarmi lidhet me praninë e toksinës cereulide në formulën për foshnje të prodhuar nga kompania Nutricia Cuijk B.V. nga Holanda.
“Përmes sistemit RASFF është pranuar një njoftim i kategorisë ‘Alert notification’ lidhur me praninë e toksinës cereulide në formulë (qumësht) për foshnje. Bazuar në analizat laboratorike të autoriteteve të Bashkimit Evropian, disa lote të formulës për foshnje të markës ‘Aptamil’ tejkalojnë kufijtë e lejuar për këtë kategori ushqimore”, ka njoftuar AUV-it.
Kjo agjenci ka bërë me dije se në tregun e Kosovës janë identifikuar vetëm sasi shumë të kufizuara të këtyre produkteve, të cilat janë importuar më 19 janar 2026 nga një operator ekonomik i autorizuar.
Produktet e identifikuara janë:
“Aptamil 1” – 830 g
Lot: 111488577 – Data e skadimit: 01.09.2026
Lot: 111516238 – Data e skadimit: 17.11.2026
Sasia: rreth 5 paketime (3.94 kg)
“Aptamil 2” – 830 g
Lot: 111463178 – Data e skadimit: 04.07.2026
Lot: 111475576 – Data e skadimit: 30.07.2026
Sasia: rreth 9–10 paketime (7.89 kg)
Sipas AUV-së, pas pranimit të njoftimit janë kryer kontrolle zyrtare në terren dhe është urdhëruar tërheqja e menjëhershme e produkteve.
“Inspektimi është realizuar më 9 mars 2026, me ç’rast është urdhëruar tërheqja nga tregu e produkteve në fjalë. Nga kontrollet është konstatuar se produktet nuk ndodhen në shitje në treg, por janë të bllokuara në depo dhe aktualisht janë në procedurë të asgjësimit”, ka njoftuar AUV-i , duke shtuar se deri tani nuk është konstatuar që këto produkte të kenë qenë në qarkullim apo të jenë shitur tek konsumatorët.
“Bazuar në verifikimet e kryera deri më tani, rreziku për konsumatorët në Republikën e Kosovës konsiderohet shumë i ulët dhe nuk është pranuar asnjë raportim apo ankesë nga konsumatorët”, ka njoftuar AUV-i.



