Jürgen Habermas i ka bërë një shërbim të madh publik popullit të Kosovës
Nga Sabri Kiçmari
Që nga fillimi i studimeve në Universitetin e Ruhrit në Bochum, në vitin 1994, jam fascinuar me pikëpamjet filozofike, sociologjike dhe politikologjike të Jürgen Habermasit. Bashkë me Immanuel Kantin, Habermasi ka mbetur autori im më i preferuar në 35 vitet e kaluara.
Kur u zgjova sot në mëngjes (në Tokio), lexova në DER SPIEGEL se Jürgen Habermas ka ndërruar jetë, dje në moshën 96 vjeçare. Ndjeva një boshllëk të thellë shpirtëror dhe intelektual. Ai e ka përshkuar në masë të madhe botëkuptimin tim për shtetin, shoqërinë, moralin, etikën, demokracinë, veprimin komunikativ dhe rëndësinë e diskursit publik.
Kanti dhe Habermasi janë dy nga mendjet më të ndritura të mendimit filozofik. Habermasi konsiderohet një ripërtëritës i traditës së Iluminizmit Kantian. Ai i përvetësoi idetë qendrore të Kantit dhe i transformoi ato brenda kontekstit të shoqërive moderne.
Për Kantin, arsyeja është kryesisht e rrënjosur në subjekt. Ligjet morale lindin nga arsyeja praktike autonome e individit. Njerëzit i testojnë normat morale përmes imperativit kategorik: Vepro vetëm sipas asaj maksime, e cila mund të bëhet një ligj universal. Habermas e qon më tej këtë persiatje të Kantit: Arsyeja nuk lind e izoluar brenda individit, por është rezultat i shkëmbimit gjuhësor dhe veprimit komunikativ midis njerëzve.
Sipas Kantit morali është universalisht i vlefshëm. Normat janë legjitime nëse janë të përgjithësueshme në mënyrë racionale. Edhe Habermasi e përvetëson parimin e universalitetit, por zëvendëson testin e brendshëm me një procedurë: Një normë është e vlefshme nëse të gjithë të prekurit mund të bien dakord me të në një diskurs të lirë dhe racional.
Një nga esetë e preferuara të Kantit është “Çfarë është iluminizmi?” Në këtë pyetje Kanti jep përgjigjien se iluminizmi është “dalja e njeriut nga papjekuria e tij e vetëimponuar.” Habermas është përpjekur të shpëtojë projektin e iluminizmit të Kantit në kushtet e shoqërisë moderne. Vetë Habermas e quan filozofinë e tij një “vazhdim post-metafizik” të filozofisë kantiane.
Ideja e “Paqes së përjetshme” e Immnauel Kantit ka ndikuar në konceptet e Habermasit. Habermasi e kupton filozofinë e tij politike si një zhvillim të mëtejshëm të projektit të paqes së Kantit në kushtet e globalizmit. Në esenë e tij, Kanti zhvilloi një model normativ të rendit ndërkombëtar me elemenetet e mëposhtme: shtet republikan, kushtetutë demokratike që parandalon luftërat, krijimi i Lidhjes së Kombeve dhe sundimi i ligjit universal. Habermasi preferon paqen përmes ligjit ndërkombëtar, universalizmin e normave dhe vë në pah rëndësinë e institucioneve ndërkombëtare.
Në vitin 2004, Japonia e nderoi Jürgen Habermasin me Çmimin prestigjioz Kyoto, duke i njohur kontributin e tij të jashtëzakonshëm në filozofinë bashkëkohore. Fondacioni Kyoto vlerësoi veçanërisht teorinë e tij të veprimit komunikativ dhe përpjekjen për ta vendosur dialogun racional në themel të jetës shoqërore dhe politike.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Habermasi theksoi se arsyeja njerëzore nuk është një aftësi e izoluar individuale, por lind dhe zhvillohet në marrëdhëniet komunikative ndërmjet njerëzve. Ai mbrojti idenë se hapësira publike dhe debati i lirë mbeten kushti themelor për demokracinë dhe për një rend politik të drejtë, duke riafirmuar besimin e tij se, pavarësisht krizave të kohës moderne, projekti i arsyes dhe i dialogut nuk duhet braktisur.
Dhe për fund, Jürgen Habermas i ka bërë një shërbim të madh publik popullit të Kosovës në vitin 1999. Në esenë e tij me titullin “Bestialiteti dhe Humaniteti – Një luftë në kufirin në mes të së drejtës dhe moralit” (gjerm. origin: Bestialität und Humanität. Ein Krieg an der Grenze zwischen Recht und Moral), të botuar në DIE ZEIT, më 29 prill 1999, Habermas trajton çështjen nëse ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër Serbisë ishte moralisht dhe ligjërisht e drejtë. Në të ai trajton kundërthënien midis të drejtave të njeriut dhe sovranitetit shtetëror, rëndësinë e ndërhyrjes humanitare dhe të drejtës ndërkombëtare.
Ja fjalët e tij të përkthyera në shqip: “Nën premisat e politikës së të drejtave të njeriut, kjo ndërhyrje tani duhet të shihet si ndërhyrje e armatosur nga komuniteti ndërkombëtar (edhe pa mandat dhe me heshtjen e OKB), një lloj misioni i autorizuar paqeruajtës. Sipas këtij interpretimi perëndimor, lufta e Kosovës mund të nënkuptojë një kapërcim nga e drejta klasike ndërkombëtare e shteteve në ligjin kozmopolit të një shoqërie civile botërore… Në muajt para fillimit të sulmeve ajrore, rreth 300.000 njerëz në Kosovë ishin të prekur nga vrasja, terrori dhe dëbimi. Ndërkohë, imazhet tronditëse të dëbimeve në rrugët drejt Maqedonisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë japin dëshmi të një spastrimi etnik të planifikuar afatgjatë. Fakti që ata që ikin po mbahen si pengje nuk i bën gjërat më mirë. Edhe pse Millosheviqi përdor luftën ajrore të NATO-s për të zbatuar praktikën e tij të mjerueshme deri në fund, skenat dëshpëruese nga kampet e refugjatëve nuk mund ta ndryshojnë lidhjen shkakësore. Në fund të fundit, qëllimi i negociatave ishte ndalimi i një nacionalizmi etnik vrastar.”
Prandaj, jo vetëm për këtë arsye, Kosova e konsideron të afërt dhe e nderon një nga figurat më të spikatura të mendimit filozofik të shekujve XX dhe XXI, duke i thënë:
Ruhe in Frieden, Lieber Jürgen Habermas!



