Lufta me Iranin dominon samitin e BE-së në Bruksel

19 mars 2026 | 13:15

Në samitin e parë të rregullt të BE-së për këtë vit, vëmendja përqendrohet tek lufta në Iran. Pyetja kryesore: si mund të përfundojë lufta – dhe a duhet të ndërhyjë BE apo jo?

Samiti i BE ishte menduar fillimisht të përqendrohej në konkurrueshmërinë e Evropës e si ta përgatisim BE për të ardhmen.

Por tani kur çmimet e energjisë po rriten ndjeshëm vëmendja i kushtohet një lufte që zhvillohet 5,000 kilometra larg e që përcakton të enjten (19.03.) samitin e BE.

Pasojat e luftës së Iranit po ndihen edhe në Bruksel.

Në deklaratën e tij qeveritare, kancelari Friedrich Merz bëri thirrje për një përfundim të shpejtë të luftës.

Por si? Kush ka më qasje te presidenti amerikan, Donald Trump tani që ai ndihet i braktisur nga evropianët?

Trump e quajti shokuese mungesën e mbështetjes për luftën e tij kundër Iranit, duke thënë se kjo nuk do të harrohet.

Efektet e luftës të ndjeshme në BE

Krerët e shteteve dhe qeverive evropiane janë të zënë në një dilemë: nga njëra anë, ata duan që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe nga ana tjetër, duan të përfshihen në të sa më pak të jetë e mundur.

Në takimin e parë të krerëve të shteteve dhe qeverive që nga fillimi i Luftës Iran-Irak shtrohet pyetja: A do të flasin të gjithë me një zë dhe do të jenë për vetëpërmbajtje, apo do të ketë disa vende të gatshme të marrin pjesë në hapjen e Ngushticës së Hormuzit?

Efektet ndikojnë pothuajse në të gjitha vendet e BE-së. Çfarë mund të bëhet në lidhje me çmimet e larta të energjisë? A duhet që kompanitë e naftës t’i nënshtrohen një takse mbi fitimin? Dhe cili është rreziku që paraqesin refugjatët nga rajoni? Këto janë të gjitha tema për diskutimet në samit.

Ukraina pret ndihma në miliarda

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky merr pjesë në takim nëpërmjet lidhjes me video dhe do t’u kujtojë krerëve të shteteve dhe qeverive se sulmet kundër vendit të tij vazhdojnë të pandërprera.

Ukraina ka nevojë urgjente për para për jetën e përditshme dhe për të organizuar mbrojtjen.

BE-ja kishte premtuar 90 miliardë euro kredi. Hungaria ka bllokuar shpërndarjen.

Viktor Orbán, i cili njihet për qëndrimin e tij pro-rus, përballet me zgjedhje në vend; ndryshimi i qëndrimit të tij nuk do të jetë i lehtë.

Lajm i mirë nga ekonomia

Bashkimi Evropian ndodhet mes dy luftërave e vështirë të gjesh ndonjë lajm pozitiv në një klimë të tillë.

Por një lajm i tillë vjen, pikërisht nga sektori i biznesit.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen prezantoi rregullat e thjeshtuara për startup-et në BE pikërisht në kohë.

Çdo sipërmarrës mund të krijojë një kompani brenda 48 orëve, nga kudo në BE, dhe për më pak se 100 euro, deklaroi ajo në Bruksel.

Të dhënat do të ruhen një herë dhe do të transferohen në të gjitha shtetet anëtare.

Pavarësisht shumë temave në agjendë, organizatori, Presidenti i Këshillit Antonio Costas, në letrën e tij të ftesës prej dy faqesh pret që samiti të përfundojë brenda një dite. Nëse kjo nuk ndodh, krerët e shteteve dhe qeverive në BE i pret një natë shumë e gjatë. /DW/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbolli evropian është në prag të një ndryshimi sizmik pas…