Dogana e Kosovës prezanton lehtësira të reja për biznese – Fillon zhdoganimi para-arritjes

19 mars 2026 | 17:06

Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës, z. Agron Llugaliu, pritën përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve për të prezantuar lehtësirat e reja të mundësuara nga reformat në fushën e doganave.

Në një konferencë të përbashkët me odat ekonomike, Dogana e Kosovës shpalosi të arriturat rrugëtimin e viteve të fundit me fokus të posaçëm në reformat në fushën e lehtësirave tregtar dhe prezantoi risinë kryesore – deklarimin para arritjes, i cili pritet të ulë kostot dhe të përshpejtojë qarkullimin e mallrave.

Ministri Murati theksoi se kalimi i terminaleve në pronësi shtetërore dhe reformat e ndërmarra synojnë lehtësimin e tregtisë dhe uljen e barrës për bizneset. Tutje, ai u shpreh se Qeveria pritet të avancoj lehtësirat në harmoni me konsultimet me komunitetin e biznesit.
Drejtori i Përgjithshëm, Agron Llugaliu, bëri të ditur se, bazuar në matjet që bën Sekretariati i CEFTA-s, Kosova prin në rajon në efikasitet sa i përket kohëzgjatjes mesatare të zhdoganimit. Sipas këtyre matjeve, koha mesatare për Republikën e Kosovës është 54 minuta, apo gati përgjysmë më pak se mesatarja rajonale prej 91 minutash. Ndër arritjet kryesore u përmendën reformat e viteve të fundit, përfshirë fillimin e zhdoganimit në Portin e Durrësit, si dhe operimi i të gjitha terminaleve nga shteti, gjë që kumulativisht ka mundësuar ulje të vazhdueshme të kostove operative, ndërsa sivjet pritet të tejkalohen kursimet prej mbi 20 milionë euro.

Me ftesë të Doganës, në takim ishte i pranishëm edhe Drejtori i AUV zt. Bekim Hoxha, i cili sqaroj se me Doganën kanë punuar gjatë muajve të fundit për të harmonizuar deklarimin para arritjes, pasi që eshte me rendesi qe nga nje qasje e tille komuniteti te përfitoj edhe nga procedurat e AUV.

Si arritje të rëndësishme u theksuan edhe digjitalizimi i vazhdueshëm i shërbimeve, si dhe rritja e vetë-deklarimit nga bizneset në masën prej 97.6% të të hyrave që vijnë nga deklarimet vullnetare.

Sistemi i ri “Deklarimi para arritjes” mundëson përpunimin e dërgesave deri në një muaj para mbërritjes, duke lejuar që mallrat, në raste të caktuara, të kalojnë direkt në depot e kompanive pa ndalesa në terminale, me kusht që kompania të ketë historik të vërtetuar të respektimit të ligjit. Kjo reformë pritet të sjellë ulje të kostove, reduktim të kohës së pritjes dhe rritje të efikasitetit logjistik, ndërsa kërkon bashkëpunim më të madh nga bizneset në ofrimin e dokumentacionit të saktë dhe në kohë. Përfaqësuesit e odave ekonomike mirëpritën këtë iniciativë dhe shprehën mbështetjen e tyre për zbatimin e saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka kujtime që lidhen ngushtë me ekranin e televizorit. Pritja…