Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin
Sot, besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë Fitër Bajramin, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin islam, që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Qytetarët kanë nisur ditën me faljen e namazit të Bajramit në xhami, ndërsa mesazhet kryesore të kësaj feste mbeten paqja, falja dhe ndihma ndaj atyre në nevojë.
Udhëheqës fetarë kanë bërë thirrje për më shumë mirëkuptim, unitet dhe respekt mes njerëzve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave humane dhe shpirtërore edhe pas përfundimit të Ramazanit.
“I lutemi Zotit që të na bekojë me maturi dhe drejtësi, që të jemi në nivel të përgjegjësisë që mbajmë për të ardhmen e vendit dhe kombit, qoftë si individë apo si shoqëri. Zoti i Madhërishëm na bëftë prej atyre që ndërtojnë ura të forta, rini të shëndoshë dhe një shoqëri me besim në vete dhe dashuri për atdheun”, ishte një nga mesazhet e Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava.
Urime për të gjithë besimtarët myslimanë kanë përcjellë edhe udhëheqësit politikë të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare.
Fitër Bajrami festohet nga rreth 1.9 miliard myslimanë në mbarë botën, duke e bërë një nga ngjarjet fetare më të përhapura globalisht.



