Aksident i rëndë në Skenderaj, lëndohen gjashtë persona
Gjashtë persona janë dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në fshatin Rakinicë të Skenderajt.
Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, detaje ka dhënë Shpend Fazliu, zëdhënës i Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
“Rreth orës 15:45, në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 6 persona, si pasojë e aksidentit në trafik në një fshat të Skenderajt. Aktualisht, stafi po i kryen ekzaminimet e nevojshme dhe sipas vlerësimeve fillestare të lënduarit kanë lëndime të lehta trupore. Ekzaminimet Radiologjike janë duke vazhduar për të gjithë të lënduarit!”, deklaroi ai për Klankosova.
Për rastin në fjalë për Klankosova.tv janë deklaruar edhe nga Policia, përmes zëdhënësit rajonal Avni Zaitit.
“Sot, rreth orës 15:00,në rrugën rajonale Skenderaj- Klinë, në segmentin rrugor në fshatin Rakinicë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në aksident janë përfshirë dy automjete, ku si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rrethanat e aksidentit”, deklaroi Zaiti.



