Doli nga shtypi libri “Politika si sëmundje” i Valon Belës
Ka dalë nga shtypi libri “Politika si sëmundje” i autorit Valon Bela, i cili trajton në mënyrë kritike dhe analitike realitetin politik dhe shoqëror në vend dhe më gjerë.
Ky botim vjen si një reflektim i thellë mbi ndikimin e politikës në jetën e individit dhe funksionimin e shoqërisë, duke e paraqitur atë si një fenomen që, në vend se të shërbejë si instrument i së mirës së përbashkët, shpesh shndërrohet në një mekanizëm deformues dhe dëmtues.
Libri përmban një seri analizash dhe ese që trajtojnë tema të ndryshme si: premtimet politike, korrupsioni, manipulimi i opinionit publik, roli i arsimit, funksionimi i institucioneve dhe përgjegjësia qytetare. Përmes një qasjeje të drejtpërdrejtë dhe kritike, autori synon të nxisë debat dhe reflektim mbi sfidat aktuale të shoqërisë.
“Politika si sëmundje” nuk është vetëm një analizë e sistemit politik, por edhe një thirrje për ndërgjegjësim dhe angazhim qytetar, duke vënë në pah rolin e individit në përballjen me fenomenet negative që ndikojnë në jetën publike.
Libri është botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni” dhe është tashmë në dispozicion për lexuesit.
Shënime për autorin
Valon Bela ka lindur në Shkup më 10 tetor 1978. Në këtë qytet ka mbaruar shkollimin fillor dhe të mesëm. Edhe studimet pasuniversitare i ka kryer në Shkup. Ka doktoruar në Qendrën Evropiane për Paqe dhe Zhvillim, si pjesë e Universitetit për Paqe, të themeluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), dhe ka marrë titullin doktor i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Valon Bela, si aktivist i shoqërisë civile, pastaj edhe si politikan, shquhet për angazhimin në fushën e të drejtave të shqiptarëve dhe përfaqësimin e interesave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mes të tjerash, ka qenë edhe pjesëmarrës në luftën e UÇK-së në Kosovë si dhe kontribuues dhe pjesëmarrës në luftën e UÇPMB-së dhe në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në zhvillimet politike dhe sociale që lidhen me bashkëjetesën, prandaj ka qenë tejet kritik ndaj strukturave politike që nuk u ofrojnë mundësi të mjaftueshme shqiptarëve për të pasur mundësi të barabarta në jetën politike dhe shoqërore. Ka dhënë kontribut të madh në angazhimin e shqiptarëve në proceset e vendimmarrjes dhe është përpjekur për t’i avancuar më tej të drejtat e komunitetit shqiptar në vend. Veprimtaria e tij ngërthen një aktivizëm të hovshëm edhe me shkrime të botuara në gazeta të ndryshme, me debate të zëshme e deri te protestat masive në Maqedoni të Veriut.
Valon Bela është i martuar dhe është baba i katër fëmijëve. Jeton dhe vepron në Shkup.
Ky është libri i tij i parë.




