Komisioni për Buxhet nis punën me prioritetet strategjike për Prokuroritë

23 mars 2026 | 11:11

Komisioni për Buxhet, Financa dhe Administrimin e Prokurorive, në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga prof. ass. dr. Dardan Vuniqi, ka mbajtur takimin e tij të parë, pas themelimit, në të cilin janë trajtuar çështje me rëndësi thelbësore që ndërlidhen me organizimin institucional, strukturimin funksional dhe ushtrimin efektiv të kompetencave të tij ligjore.

Në takim morën pjesë përbërja e re e anëtarëve të këtij komisioni: Sebahate Sinani (Prokuroria e Apelit) dhe Ersan Qavolli (ProkuroriaThemelore në Pejë), si dhe Koordinatori i Komisioneve të Përhershme në KPK, Besim Kusari, udhëheqësi i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në SKPK, Nexhat Haziri dhe sekretarja e Komisionit, Diellza Bajrami.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e Komisionit kanë zhvilluar shqyrtim të detajuar dhe diskutim substancial lidhur me prioritetet strategjike për periudhën në vijim, me fokus të veçantë në planifikimin afatmesëm dhe afatgjatë buxhetor, menaxhimin racional dhe transparent të burimeve financiare, si dhe avancimin e praktikave të administrimit të prokurorive në përputhje me standardet bashkëkohore të menaxhimit publik.

Në këtë kontekst, është vënë theks i posaçëm edhe në rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në trajtimin dhe menaxhimin e lëndëve prokuroriale, përmes optimizimit të proceseve administrative dhe përmirësimit të mekanizmave mbikëqyrës.

Komisioni, në ushtrim të mandatit të tij, është dakorduar për inicimin e procedurave për hartimin dhe miratimin e Planit të Punës, si një akt programor dhe udhëzues normativ, i cili do të përcaktojë objektivat konkrete, afatet kohore, indikatorët e performancës dhe përgjegjësitë institucionale, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe aktet nënligjore përkatëse.

Në kuadër të diskutimeve, është theksuar rëndësia e respektimit të parimeve të transparencës, llogaridhënies institucionale dhe sundimit të ligjit, si dhe nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim të garantimit të një sistemi prokurorial funksional, të pavarur dhe efikas në Republikën e Kosovës.

Komisioni ka njoftuar se do të vazhdojë angazhimin e tij, me synim përmbushjen e plotë të mandatit kushtetues dhe ligjor, si dhe realizimin e objektivave të përcaktuara përmes akteve normative dhe politikave institucionale në fuqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Firma Lakeside AG SH.P.K. me nr. Biznesi: 811284603 në Vermic,…