Shtrenjtimi i naftës: Kusari-Lila thotë se heqja e akcizës dhe TVSH-së nuk janë opsion
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se qeveria po e përcjell me vëmendje situatën e krijuar me rritjen e çmimit të derivateve në vend.
Gjatë një prononcimi, ajo u përgjigj ndaj kërkesave AAK-së për lirimin e TVSH-së dhe heqjen e akcizës për naftën.
Kusari-Lila tha se fokusi kryesor i ministrisë mbetet parandalimi i abuzimeve me çmime nga ana e operatorëve ekonomikë.
Ministrja sqaroi se ndryshimi i akcizës kërkon miratim nga Kuvendi, i cili aktualisht mbetet i pezulluar, ndërsa lirimi nga TVSH-ja nuk shihet si zgjidhje efektive për xhepin e qytetarëve.
“TVSH-ja nuk ka qenë asnjëherë opsion, pasi është vështirë të monitorohet. Mund të përfundojmë në situata kur hiqet TVSH-ja, por çmimi mbetet i njëjtë pasi operatorët ekonomikë nuk e ulin atë dhe ne nuk kemi mekanizëm për ta mbajtur çmimin tavan edhe për produkte të tjera,” tha Kusari-Lila.
Sa i përket akcizës, ajo shtoi se çfarëdo ndryshimi prek drejtpërdrejt të hyrat e buxhetit të shtetit, të cilat në situatën aktuale mbeten ashtu siç janë.
Sipas ministres, prioritet është monitorimi i marzhës së fitimit për të siguruar që rritja e çmimit në bursa të mos multiplikohet artificialisht në tregun lokal.
“Jemi me vëmendje duke përcjellë situatën që të mos ketë abuzim me çmim. Jemi duke përgatitur planifikime strategjike për ta rritur rezistencën ndaj rrethanave të krijuara në tregun botëror. Sa i përket akcizës, nuk e konsiderojmë si opsion, por e përcjellim situatën që çmimi të mos kalojë çmimin e marzhës së caktuar,” u shpreh ajo.



