Gjenerali Hisen Berisha bën homazhe në Gllogjan: Epopeja e Dukagjinit dhe ndërhyrja e NATO-s, një kthesë vendimtare për Kosovën
Ish deputeti dhe gjenerali në pension Hisen Berisha sot ka bërë homazhe në Gllogjan me rastin 24 marsit – Epopesë së Dukagjinit dhe ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
“24 Marsi 1999, shënon një nga kthesat më vendimtare në historinë moderne të Kosovës, ditën kur NATO ndërhyri ushtarakisht kundër forcave të Jugosllavisë dhe Serbisë, për t’i dhënë fund një regjimi represiv që kishte kthyer shtypjen në politikë shtetërore”, ka shkruar Berisha.
“Po kjo ditë, shënon fillimin e luftës për liri në Gllogjan e Dukagjin, duke e shndërruar rezistencën në një front të gjerë dhe të koordinuar. Sot, po në Gllogjan, shënohet edhe dita e dëshmorëve dhe e luftës në Dukagjin. 24 Marsi 1998, ishte një vazhdimësi e natyrshme e sakrificës që kishte nisur në Drenicë, me familjen Jashari, të cilët u bënë simbol i qëndresës dhe i çmimit të lirisë”, ka shkruar Berisha.
Postimi i plotë i tij:
24 Marsi, Epopeja e Dukagjinit dhe Dita e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë
24 Marsi 1999, shënon një nga kthesat më vendimtare në historinë moderne të Kosovës, ditën kur NATO ndërhyri ushtarakisht kundër forcave të Jugosllavisë dhe Serbisë, për t’i dhënë fund një regjimi represiv që kishte kthyer shtypjen në politikë shtetërore.
Kjo ndërhyrje u udhëhoq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa miratimin formal të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por e mbështetur në një parim thelbësor të së drejtës ndërkombëtare, detyrimin për të ndërhyrë kur një popull i shtypur përballet me dhunë sistematike nga një regjim që nuk ndan as përkatësi etnike, as vlera me të. Ishte një ndërhyrje që tejkaloi procedurat formale për të mbrojtur jetën, dinjitetin dhe të drejtën për liri.

Në atë kohë, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte hyrë në fazën e saj më të ashpër. Kudo, po zhvilloheshin betejat më të mëdha dhe më vendimtare të luftës, deri te Kosharja e lavdisë e krenarisë, që shënoi heqien me forcën e armës të kufirit në mes shqiptatëve dhe hapjen e shtigjeve nga po hynte liria.
Po kjo ditë, shënon fillimin e luftës për liri në Gllogjan e Dukagjin, duke e shndërruar rezistencën në një front të gjerë dhe të koordinuar.
Sot, po në Gllogjan, shënohet edhe dita e dëshmorëve dhe e luftës në Dukagjin. 24 Marsi 1998, ishte një vazhdimësi e natyrshme e sakrificës që kishte nisur në Drenicë, me familjen Jashari, të cilët u bënë simbol i qëndresës dhe i çmimit të lirisë.
24 Marsi nuk është vetëm një datë. Është dita kur u bashkuan sakrifica në tokë dhe ndërhyrja nga ajri e NATOs, kur lufta e një populli për liri u bë çështje ndërkombëtare, dhe kur u vendos themeli i një epoke të re për Kosovën.
“Na mbështesni nga ajri, për këmbësori jemi vet.” Është deklarata ikonike e Agim Ramadanit – DO/NATOs, si shprehje e besimit të plotë në forcën, vendosmërinë dhe sakrificën e luftëtarëve të lirisë.
Është dita kur liria mori mbështetje globale, dhe kur sakrifica shqiptare u shndërrua në fitore historike.




