“Dashavidi” ose anatomia e një anormaliteti

25 mars 2026 | 14:33

Blerim Rrecaj

Pas dy librave në prozë e me tregime, autori Albin Mehmeti këtë herë shfaqet me një roman para lexuesit. Dy veprat e para të tij i veçon stili i veçantë i rrëfimit e temave që lidhen rreth një boshti siç është ana e errët njerëzore. Mund të thuhet se edhe ky roman është një lloj vazhdimësie ku me anë të imagjinatës flitet për një realitet që s’është aspak i këndshëm për sytë, veshët, zemrën e shpirtin e ndjeshëm njerëzor. E si mund të pajtohet së pari vetë shkrimtari pa shkruar, kur përballet me gjithë këtë katrahurë që ka mbërthyer një vend, ku vazhdon të hidhet një valle e çuditshme, e çoroditur, kushedi ku mund të shkohet me një hap përpara e dy-tre prapa, katër-pesë hapa prapa e dy-tre përpara, duke u vërdallisur rreth një vorbulle pa mbarim a rreth një pusi të pafund me çaste, ndodhi, rrëfime, ngjarje, përjetime, ku kryefjalë është politika jo si art i së mundshmes, as i profesion e urë që dërgon tek e bukura, etika, morali, meritokracia, zhvillimi e përparimi e çfarë jo tjetër, por veprimet që i kryejnë njerëzit të veshur me petk politikanësh dëshmojnë të kundërtën, me një fjalë shëmtinë. Lufta për ta zënë fronin e pushtetit bëhet e pakompromis, pa parime e pa zgjedhur metoda, ndonëse duket se palët u nënshtrohen ca rregullave që çojnë deri te përfundimi i një gare e loje që patjetër do ta nxjerrë një fitues dhe një humbës, të cilët shpejt mund t’i ndërrojnë vendet, por jo edhe mendjet, e mendjet e tyre aq do të përqendrohen te mbajtja ose ardhja në pushtet saqë superdehja e tyre shoqërohet gjithherë nga ankthet, frikët, kërcënimet, shantazhet, metodat e strategjitë për arritjen e qëllimeve. Mbase kjo është e ditur për luftën për pushtet që prej lashtësisë e deri më sot, në kohë e rrethana të ndryshme, por duke lexuar “Dashavidin”, them se shkrimtari me dije, durim, guxim, sinqeritet, shkathtësi e njerëzi, flet për kohën e vendin e vet (lexo: shtëpinë tonë, edhe si metaforë) ku aktorët e paktë politikë endin me mijëra fije si merimangat, duke shpërndarë një lloj opiumi në hapësirë, me anë të marrëveshjeve në skenë a prapaskenë, nën e mbi tavolina, me një mori të klaneve, bizneseve, medieve, duke e bërë mishmash një shoqëri të tërë që herë-herë duket e dorëzuar përpara një makinerie të tillë që e ha për së gjalli, e bë si të vdekur derisa ende frymon, e gjallëron llumave e një degradimi që vazhdon, vazhdon… Saqë ky degradim vazhdon edhe kur shfaqet një virus i çuditshëm e i rrezikshëm (krahaso: Covid me Dashavid), dhe një vend e një shoqëri e “virusuar” me mikrobet e padijes, manipulimit, përçarjes, militantizmit, ecetera, ecetera, saqë pushtetarët e nënpushtetarët e këtij romani marrin masa për të shpëtuar nga ky virus, njëkohësisht edhe masa për ruajtje e marrje pushteti me çdo kusht. Pastaj informatat dhenden e gdhenden, drejtohen, lakohen, e përlakohen e (për)dredhohen varësisht prej interesit të tyre të ngushtë, saqë të dërgojnë te fraza e fshehur: “Pushteti mbi të gjitha!” Dhe vazhdon kjo lojë bezdisëse e gjithëpërfshirëse, me një tymnajë e mjegullnajë, që endet përbrenda qenieve tona dhe një Zot e di se kur do të fillojë të davaritet, sepse jeta e njerëzit kanë nevojë për tjetër frymëmarrje, kanë nevojë për një tjetër normalitet. Romani “Dashavidi” e dëshmon këtë, duke na bërë të qeshim, të qajmë o të qaraveshemi për kohën që na shkon dëm, për kohën e kotësisë, dhe për gjendjen e amullisë sikur jemi duke kaluar nëpër një ëndërr të ligë. Kjo vepër është shkruar me një stil të veçantë në të cilën mund ta shohim veten në pasqyrë secili prej nesh. E ndodhemi përpara një tragjikomizmi dramatik, para të cilit mund të na lindin edhe shumë dilema, shumë pyetje. A nuk la plagë e vragë mbi ne ky realitet i vrazhdë, i thartë e kokëlartë? A nuk janë të tejmbushura qeniet tona me mediokritete e banalitete dhe ndaj të cilave na duhet imunitet? Disa nga përgjigjet mund t’i gjejmë në këtë libër. Një nga to sikur thotë: Ky realitet i trishtë e gjithëpërfshirës gjendet në jetët dhe përvojat tona…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Blerim Rrecaj Kur merr dhuratë një libër, siç mora…