Peleshi: Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor në BE, domosdoshmëri strategjike për Evropën
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka marrë pjesë në Samitin Parlamentar të Nismës së Tre Deteve, i cili është duke u zhvilluar në Zagreb.
Sipas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë, në fjalën e tij, Peleshi ka theksuar rëndësinë e ndërlidhjes infrastrukturore, energjetike dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në projektin evropian.
Kryetari Peleshi ka vlerësuar organizimin e samitit nga Parlamenti i Kroacisë dhe ka theksuar se, në një kohë pasigurish të reja në Evropë, platforma të tilla bashkëpunimi janë më të domosdoshme se kurrë për të forcuar lidhjet ekonomike, energjetike dhe politike mes vendeve të rajonit.
Ai ka nënvizuar se Ballkani Perëndimor nuk duhet parë më si periferi e Evropës, por si pjesë përbërëse e arkitekturës së saj të ardhshme, duke theksuar se gjeografia, zgjedhjet politike dhe rrënjët kulturore të rajonit e mbështesin këtë perspektivë.
Kryetari Peleshi ka thënë se Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nyje strategjike që lidh Adriatikun dhe Jonin me rrjetet më të gjera evropiane, duke kontribuar në stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të rajonit. Ai ka veçuar rëndësinë e projekteve të mëdha infrastrukturore dhe energjetike si korridori VIII, korridori Blu, gazsjellësi trans Adriatik dhe gazsjellësi i planifikuar Joniano-Adriatik, të cilët krijojnë një rrjet të integruar lindje-perëndim dhe veri-jug, duke lidhur porte, rrugë energjetike dhe qendra ekonomike në rajon.
Në këtë kuadër, Peleshi ka theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një çështje politike, por një domosdoshmëri strategjike për vetë Evropën, pasi zgjerimi lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.
Ai ka nënvizuar gjithashtu rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe diplomacisë parlamentare për forcimin e projektit evropian.



