DnV-ja kundërshton vendimin e Osmanit: Zvarritja e emërimit të anëtarëve të KQZ-së dëmton funksionalitetin e institucionit

25 mars 2026 | 15:16

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) ka kundërshtuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për ta referuar çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Gjykatën Kushtetuese, pasi ky sipas DnV-së ky veprim e vonon kompletimin e institucionit në një moment kur funksionaliteti i tij është thelbësor për integritetin e proceseve zgjedhore.

“DnV-ja vlerëson se mënyra e përbërjes së KQZ-së është e përcaktuar qartë në kuadrin kushtetues dhe atë ligjor përmes modelit strikt të përfaqësimit. Ky model nuk lidhet drejtpërdrejtë me rezultatin zgjedhor apo peshën politike të subjekteve në kuptim të numrave, por me parimin e balancës ndërmjet grupeve parlamentare që kanë të drejtë propozimi. Si i tillë, ai zbatohet në mënyrë të njëjtë edhe në rrethanat aktuale politike, pa u riformuluar në bazë të rezultateve apo konfigurimeve tjera. Kjo qasje është reflektuar në mënyrë të qëndrueshme edhe në praktikë dhe vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Në raste të mëhershme, përfshirë periudhën pas zgjedhjeve të vitit 2021, përbërja e KQZ-së është përcaktuar mbi bazën e modelit strikt, duke kufizuar përfaqësimin e subjektit më të madh në dy anëtarë, pavarësisht rezultatit zgjedhor. Kjo praktikë përbën një standard – në harmoni edhe me Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias – të vendosur që ka garantuar funksionimin e balancuar të institucionit”.

“Në këtë kontekst, trajtimi i kësaj çështjeje si dilemë kushtetuese dhe referimi i saj në Gjykatën Kushtetuese nuk kontribuon në qartësi shtesë, por prodhon vonesa në një proces që kërkon vendimmarrje të drejtpërdrejtë. Mosplotësimi i përbërjes së plotë të KQZ-së cenon konfigurimin e saj kushtetues prej 11 anëtarëve, duke ndikuar njëkohësisht në funksionimin dhe vendimmarrjen e saj. DnV-ja bën thirrje që emërimi i anëtarit të mbetur të KQZ-së të përmbyllet pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe standardet e vendosura në praktikë, në mënyrë që të ruhet funksionaliteti dhe besueshmëria e këtij institucioni”, është thënë në reagimin e DnV-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë aktgjykim duke e shpallur…