Abdixhiku për njehsorët elektrikë: Kur shteti dështon, padrejtësia hyn në çdo shtëpi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shkruar lidhur me njehsorët elektrikë, ku të mërkurën në një konferencë për medie, nga kjo parti u prezantuan të gjeturat pas një hulumtimi e ku u tha se këta të fundit matin gabimisht energjinë elektrike.
“Ajo që u prezantua dje në konferencë nga Departamenti ynë për Energji, përmes anëtarit tonë Visar Azemi, është alarmante. Qytetarët po paguajnë më shtrenjtë jo sepse konsumojnë më shumë, por sepse sistemi i matjes po keqllogaritë. Nga verifikimi i 884 njehsorëve që aktivistët tanë kanë bërë, 87% rezultojnë të llogarisin kohën gabimisht, duke faturuar energjinë me tarifë të shtrenjtë edhe gjatë orëve të natës. Kjo nuk është më rastësi. Është dështim sistemik. Prandaj, LDK i fton qytetarët të kontrollojnë njehsorët e tyre. Ne zotohemi se këtë çështje do ta ndjekim në të gjitha nivelet institucionale, deri në vendosjen e drejtësisë për çdo qytetar”, ka shkruar Abdixhku në “Facebook”.
Ai ka theksuar se LDK-ja kërkon hetim të menjëhershëm, përgjegjësi institucionale, kompensim për qytetarët dhe ndaljen e çdo rritjeje të tarifave deri në zbardhjen e plotë të gjendjes reale.



