Haradinaj nga Krusha e Madhe: Siguria është jetike, duhet ta ruajmë fort aleancën me ShBA-në që të mos na përsëritet historia

26 mars 2026 | 12:19

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për forcimin e ushtrisë dhe ruajtjen e palëkundur të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), si rruga e vetme për të garantuar që masakrat si ajo e Krushës të mos përsëriten më kurrë në Kosovë.

Gjatë tubimit përkujtimor në 27-vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe, Haradinaj u shpreh se suksesi i shtetit dhe fuqizimi i institucioneve të sigurisë janë “hakmarrja” më e mirë për të kaluarën e dhimbshme.

“Është nder i madh të jem këtu sot dhe të shpreh respektin, si dhe të përulem para të gjithë atyre njerëzve tanë që u vranë pafajësisht: civilë, gra, pleq, fëmijë e të rinj. Po ashtu, shpreh shqetësimin tonë pse ende ka të pagjetur dhe pse ende nuk ka ndodhur drejtësia për këtë masakër në Krushë të Madhe, në Krushë të Vogël, në Celinë, Pastasellë, Fortesë e kudo tjetër.”

“Është krejtësisht e logjikshme të shprehim shqetësim pse nuk ndodh drejtësia. Njëkohësisht, është e drejtë të shtrojmë pyetjen: si është e mundur që ende gjykohet UÇK-ja? Nuk ka rëndësi kush është – a e ka emrin Ramush, Fatmir apo dikush tjetër; a e ka Hashim, Kadri, Jakup apo Rexhep – por bëhet fjalë për UÇK-në, për njerëz që kanë luftuar për të mbrojtur veten. E gjithë kjo është shumë e pashpjegueshme”, ka thënë Haradinaj.

“Që të kemi siguri dhe të mos na përsëritet Krusha e tragjedi të tjera, duhet ta ruajmë fort aleancën me Amerikën. Kush ju thotë ndryshe, dijeni se ose nuk e di, ose nuk e thotë për të mirën e këtij populli dhe të këtij vendi – dhe kurrë nuk do ta ketë për të mirë. E dini vetë si do të kishim përfunduar pa Amerikën dhe NATO-n, si dhe në çfarë gjendjeje u kthyem dhe çfarë gjetëm në këtë vend”, ka thënë Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në tubimin…