E vërteta e Kosovës nuk është vetëm çështje e një populli por pjesë e kujtesës së përbashkët njerëzore

26 mars 2026 | 16:07

Vlerësim për librin “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala – Profesor Doktor, ministër e ambasador

Shkruan: Prof. Dr. Kudusi Lama, Gjeneral në pension

Libri “Kur heshtja flet” i autorit prof. Dr. Ahmet Shala, botuar në Prishtinë më 2025, paraqitet si një pamje që tejkalon kufijtë e zakonshëm të një rrëfimi personal apo dokumentar. Qysh në faqet e para, autori e vendos lexuesin përballë një tensioni të brendshëm të fuqishëm: “Brenda meje gumëzhinin tinguj e fjalë të pashkruara: zëra të shqetësuar, heshtje të rënda, pyetje pa përgjigje” (f. 9). Kjo nuk është vetëm një hyrje stilistike, por një deklaratë programatike e gjithë veprës – një shpërthim i brendshëm që kërkon të marrë formë në fjalë.

Në thelb, libri ndërtohet mbi një dualitet të qëndrueshëm: midis fjalës dhe heshtjes. Autori e koncepton veprën si një udhëtim që nuk kërkon zbukurim estetik, por guxim moral për të rrëfyer. Siç shprehet vetë ai, “ka dhimbje që s’shërohen kurrë plotësisht, por mund të kthehen në dëshmi të dinjitetit” (f. 11). Kjo e shndërron tekstin në një akt dëshmie, ku rrëfimi nuk është qëllim në vetvete, por mjet për të mbajtur gjallë kujtesën dhe për të kundërshtuar harresën.

Në këtë kuptim, libri del përtej një përvoje individuale dhe merr përmasa kolektive. Ai është, sipas autorit, “më shumë se një rrëfim; është një përgjigje ndaj heshtjes” (f. 11), por edhe një kundërvënie ndaj një koncepti të rrezikshëm historik – atij që historia shkruhet vetëm nga të fuqishmit. Kështu, vepra vendoset në një linjë të qartë etike dhe intelektuale: të rikthejë zërin e atyre që janë lënë në periferi të rrëfimit zyrtar.

Një dimension i rëndësishëm i librit është ai i angazhimit moral dhe qytetar. Thirrja që autori ndien për të vepruar nuk është abstrakte, por konkrete dhe e personalizuar. Në momentin kur ai përmend mesazhin e Hashim Thaçit, ai e përkthen atë në një detyrim moral: për të “hapur derën e ngushtë” të padrejtësisë dhe për të dëshmuar solidaritet me ata që ndodhen brenda saj (f. 17). Kjo e kthen librin në një formë të veprimit përmes shkrimit – një përpjekje për të ndikuar realitetin përmes fjalës.

Në këtë linjë, rrëfimi i udhëtimit drejt Hagës merr një dimension simbolik. Ai nuk është thjesht një itinerar fizik, por një pelegrinazh shpirtëror dhe politik drejt një hapësire ku, sipas autorit, “padrejtësia ishte shndërruar në institucion” (f. 24). Ky formulim i fortë e vendos librin në një raport kritik me mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë, duke e parë atë jo si një strukturë neutrale, por si një realitet të kontestueshëm dhe të ngarkuar me implikime politike.

Një nga shtyllat kryesore të veprës është pikërisht ky qëndrim kritik ndaj drejtësisë selektive. Autori ngre pyetje të forta morale: për harresën e mijëra viktimave, për heshtjen ndaj krimeve të dokumentuara dhe për fokusin e njëanshëm të gjykimit (f. 25–26). Në këtë prizëm, libri bëhet një akt akuze ndaj një sistemi që, sipas tij, ka devijuar nga misioni i tij themelor.

Por vlera e këtij libri nuk qëndron vetëm në kritikën që artikulon, por në mënyrën se si e ndërton këtë kritikë përmes përvojës personale dhe emocionale. Takimet me figurat kryesore të luftës dhe politikës, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nuk paraqiten thjesht si episode biografike, por si momente reflektimi mbi drejtësinë, sakrificën dhe dinjitetin njerëzor.

Një element tjetër që e forcon këtë dimension është prania e zërit ndërkombëtar, e përfaqësuar përmes figurës së “Tony-it”, kongresmeni amerikan i cili e përjeton këtë realitet si një “të vërtetë të hidhur” (f. 41). Kjo e zgjeron perspektivën e librit dhe e vendos çështjen në një kontekst më të gjerë, përtej kufijve kombëtarë.

Në vijim libri ndërtohet mbi një ndjenjë të fortë përgjegjësie morale. Autori e sheh veten përballë një zgjedhjeje: “jo rrugën më të lehtë, por rrugën më të drejtë” (f. 46). Kjo zgjedhje përkthehet në një angazhim të qartë për të mos heshtur, për të dëshmuar dhe për të mbajtur gjallë zërin e atyre që nuk mund të flasin (f. 47). Duke e paraqitur kështu librin jo thjesht një libër kujtimesh apo refleksionesh. Por si një tekst të ndërgjegjes, një akt të guximit qytetar dhe një përpjekje për të kthyer heshtjen në zë – një zë që sfidon harresën dhe kërkon drejtësi.

Më tej autori e thellon ndjeshëm dimensionin shpirtëror, etik dhe historik të rrëfimit, duke e shndërruar librin nga një dëshmi personale në një reflektim të gjerë mbi besimin, sakrificën dhe drejtësinë. Në këtë segment, teksti merr një karakter më universal.

Një nga shtyllat themelore të përmbajtjes së librit është përvoja e besimit. Autori e rikthen lexuesin në një marrëdhënie intime me traditën dhe edukimin familjar, duke e përshkruar lutjen jo thjesht si një praktikë fetare, por si një proces të “akordimit dhe sinkronizimit të ndjenjave, energjisë e përcaktimeve përtej fuqisë njerëzore” (f. 93–94). Kjo e vendos besimin në qendër të ekzistencës së tij, jo si dogmë, por si përvojë e jetuar, si një burim i qëndrueshëm force dhe ekuilibri.

Rituali i lutjes, i trashëguar nga nëna, shndërrohet në një metaforë të vazhdimësisë shpirtërore dhe identitare. Edhe pse fillimisht mekanik, ai evoluon në një vetëdije të thellë, duke reflektuar rrugëtimin e vetë autorit nga tradita drejt kuptimit. Kjo lidhje midis besimit dhe jetës së përditshme krijon një dimension të veçantë të tekstit, ku përvoja individuale bëhet universale dhe e komunikueshme për çdo lexues.

Në të njëjtën kohë, libri ndërton një lidhje të fortë midis lutjes dhe veprimit. Autori nuk qëndron në një spiritualitet pasiv; përkundrazi, ai e shndërron lutjen në angazhim konkret. Siç thekson ai, vizita në Hagë nuk ishte “për të parë, por për të dëshmuar” (f. 47), ndërsa më tej ajo merr formën e një misioni për ata “që nuk kishin zë” (f. 105). Kjo është një nga pikat më të forta të veprës: ndërthurja organike e besimit me përgjegjësinë qytetare.

Në këtë kontekst, autori e shndërron përvojën e tij në një akt solidariteti të thellë njerëzor. Ai dhe bashkudhëtarët e tij përfaqësojnë një bashkësi ndërgjegjesh që veprojnë në emër të drejtësisë dhe dashurisë, duke synuar të bëhen “zëri i tyre për botën e shurdhër” (f. 105). Ky formulim përmbledh një nga idetë kyçe të librit: heshtja nuk është vetëm mungesë e fjalës, por shpesh edhe mungesë e vullnetit për të dëgjuar.

Një tjetër dimension i rëndësishëm i kësaj pjese është reflektimi mbi sakrificën. Autori e vendos përballë lexuesit një kontrast të fortë midis jetës së zakonshme dhe sakrificës së atyre që zgjodhën luftën për liri. Përshkrimi i luftëtarëve që lanë gjithçka pas dhe u nisën drejt maleve “nëpër shi, acar e breshëri plumbash” (f. 122–123) është një nga momentet më të fuqishme emocionale të tekstit. Kjo nuk është vetëm një kujtesë historike, por një thirrje për reflektim moral mbi çmimin e lirisë.

Në këtë linjë, autori sfidon edhe një fenomen të thellë kulturor: prirjen për të nderuar vetëm heronjtë e rënë. Ai ngre një çështje thelbësore për ndërgjegjen kolektive shqiptare, duke kërkuar që respekti dhe mirënjohja të shtrihen edhe ndaj atyre që janë ende gjallë dhe që mbajnë mbi supe barrën e historisë. Në këtë kuadër, figurat si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi paraqiten si vazhdimësi e një tradite të gjatë rezistence dhe sakrifice.

Një nga kulmet analitike të librit është kritika e drejtpërdrejtë ndaj konceptit të drejtësisë ndërkombëtare. Autori ngre pyetje retorike të forta mbi natyrën selektive të drejtësisë dhe mbi mundësinë që ajo të përdoret si instrument politik (f. 151–152). Në këtë kontekst, ai argumenton se nuk po gjykohet thjesht dhuna, por vetë identiteti dhe historia e një populli.

Kjo qasje e vendos librin në një debat të gjerë teorik dhe historik mbi drejtësinë tranzicionale dhe ecurinë historike. Autori e sheh procesin gjyqësor jo vetëm si një çështje juridike, por si një akt që do të ndikojë mënyrën se si do të shkruhet historia në të ardhmen. “Ajo që nuk shkruhet sot, nesër do të harrohet” (f. 153) – ky pohim përmbledh thelbin e shqetësimit të tij.

Në këtë prizëm, heshtja merr një kuptim të ri: ajo nuk është më vetëm një gjendje individuale, por një fenomen kolektiv me pasoja të rënda historike. Heshtja, sipas autorit, mund të bëhet bashkëfajësi, mund të shndërrohet në një mekanizëm që lejon deformimin e së vërtetës dhe fshirjen e kujtesës.

Për të mbështetur këtë argument, autori i referohet një sërë burimesh ndërkombëtare, si raportet e Human Rights Watch dhe Amnesty International, si dhe dokumenteve të tjera që dëshmojnë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë (f. 167). Kjo e forcon dimensionin dokumentar të veprës dhe i jep asaj një bazë të qëndrueshme faktike.

Kështu gradualisht, mund të thuhet se “Kur heshtja flet” arrin të ndërtojë një strukturë të fuqishme ku ndërthuren tre shtylla themelore: besimi, kujtesa dhe drejtësia. Libri kështu nuk është vetëm një rrëfim personal, por një akt i vetëdijes historike dhe një thirrje për përgjegjësi kolektive.

Duke lexuar më tej konstatohet se autori e zhvendos vëmendjen nga përjetimi personal dhe reflektimi shpirtëror drejt një analize të drejtpërdrejtë, të thellë dhe të pa kompromis mbi drejtësinë ndërkombëtare, rrëfimin historik dhe luftën e vazhdueshme për të vërtetën. Ku shihet se gradualisht arrijmë në kulmimin ideor të librit – aty ku heshtja nuk është më vetëm përjetim, por bëhet objekt akuze dhe thirrje për reagim.

Autori ngre një varg pyetjesh thelbësore që nuk janë thjesht retorike, por goditëse në esencën e ndërgjegjes kolektive: pse krimet mbetën pa autorë, pse masakrat u relativizuan dhe pse dokumentet ndërkombëtare u shpërfillën? (167 – 168) Këto pyetje nuk kërkojnë vetëm përgjigje historike, por edhe përgjegjësi morale. Në këtë kuptim, teksti merr dimensionin e një aktakuze të heshtur ndaj një rendi ndërkombëtar që, sipas autorit, ka zgjedhur shpesh stabilitetin politik mbi drejtësinë.

Autori argumenton se në këtë “pazar makabër”, drejtësia është relativizuar dhe viktimat janë trajtuar si “kosto e parëndësishme”. Ky formulim është i fortë, por pikërisht kjo forcë e bën tekstin të ndikojë thellë: ai nuk përpiqet të zbusë realitetin, por ta ekspozojë atë në mënyrë të zhveshur. Këtu qëndron një nga vlerat kryesore të veprës – guximi për të artikuluar atë që shpesh mendohet, por rrallë thuhet publikisht.

Në vijim, autori e thellon argumentin duke e parë krijimin e Gjykatës Speciale jo si një instrument të drejtësisë së paanshme, por si një produkt të presioneve politike ndërkombëtare. Ai e quan atë një gjykatë “jo nga dhe për popullin që kërkonte drejtësi”, por të imponuar nga interesa të jashtme.

Një nga momentet më të fuqishme të kësaj vepre është përshkrimi i sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së. Autori rikthen në kujtesë rrugëtimin e tyre përmes Bjeshkëve të Nemuna, përballjen me minat, pritat dhe rrezikun e vazhdueshëm. Ky përshkrim nuk është thjesht historik; ai është simbolik. Ai përfaqëson një përballje ekzistenciale midis jetës dhe vdekjes, midis robërisë dhe lirisë. Përmes këtij imazhi, autori ndërton një kontrast të fortë me realitetin e sotëm, ku, sipas tij, ata që dikur rrezikuan gjithçka për lirinë, sot gjenden të gjykuar në një realitet të shtrembëruar.

Një dimension tjetër i rëndësishëm i kësaj vepre është analiza e luftës së re – luftës së mashtrimeve. Autori argumenton se pas përfundimit të luftës fizike, filloi një luftë tjetër, më e sofistikuar: ajo e propagandës. Kjo luftë nuk zhvillohet më me armë, por me dokumente, raporte, media dhe institucione. Sipas tij, makineria propagandistike serbo-ruse ka synuar të zhbëjë legjitimitetin moral të luftës çlirimtare dhe ta paraqesë atë si një ndërmarrje kriminale.

Në këtë kontekst, përmendja e figurave dhe raporteve ndërkombëtare, si ai i Dick Marty-t, nuk është rastësore. Ajo shërben për të ilustruar mënyrën se si, sipas autorit, historia e fabrikuar mund të institucionalizohet dhe të marrë formë zyrtare. Kjo është një nga idetë më të forta të librit: se e vërteta nuk është gjithmonë ajo që dokumentohet, por ajo që mbrohet dhe dëshmohet vazhdimisht.

Autori shkon edhe më tej, duke e lidhur këtë fenomen me një traditë më të gjerë të propagandës shtetërore, duke përmendur edhe konceptin e “gënjeshtrës si interes nacional”. (190) Në këtë mënyrë, ai e vendos përballjen shqiptare jo vetëm në një kontekst lokal, por në një dimension më të gjerë historik dhe gjeopolitik.

Një nga reflektimet më të goditura është dallimi që autori bën midis dy llojeve të heshtjes: heshtjes nga pamundësia dhe heshtjes nga qëllimi. Ky dallim është thelbësor për të kuptuar mesazhin e librit. Heshtja e parë është tragjike, ndërsa e dyta është e rrezikshme. Dhe pikërisht kjo e dyta, sipas autorit, ka kontribuar në deformimin e së vërtetës dhe në padrejtësitë e sotme.

Në këtë pikë, libri merr një dimension të qartë etik: ai nuk është më vetëm një rrëfim apo analizë, por një thirrje për përgjegjësi. Autori thekson se përballë një strategjie që synon të barazojë viktimën me agresorin, heshtja nuk është më neutralitet, por bashkëfajësi.

Kulmi arrihet në mesazhin se fjala është arma e fundit dhe më e fuqishme. Kjo është një tezë që përshkon gjithë librin, por që këtu artikulohet me qartësi të plotë. Në një botë ku historitë mund të manipulohen, fjala e vërtetë bëhet mjeti i vetëm për të ruajtur dinjitetin historik dhe moral.

Për këtë, autori nuk kursen as kritikën ndaj vetes kolektive. Ai flet për dështimin e një pjese të lidershipit shqiptar për të dalluar miqtë e vërtetë dhe për të demaskuar propagandën. Ky vetëreflektim e bën tekstin më të besueshëm dhe më të thellë, sepse nuk mbetet në nivelin e akuzës ndaj të tjerëve, por përfshin edhe përgjegjësinë e brendshme.

Kështu, brendësia e “Kur heshtja flet” shndërrohet në një manifest të fuqishëm për kujtesën, të vërtetën dhe drejtësinë. Ajo nuk synon të japë përgjigje përfundimtare, por të nxisë mendim kritik dhe ndërgjegjësim. Gjithnjë duke forcuar e zgjeruar aspektin argumentues dhe emocional. Duke e ngritur veprën nga një rrëfim personal në një tekst me peshë publike dhe historike, duke e bërë atë jo vetëm një dëshmi të kohës, por edhe një thirrje të qartë: të mos heshtim më.

Autori e çon analizën e tij drejt një thellësie edhe më të madhe, duke e përqendruar diskursin në tri shtylla themelore: propagandën si armë strategjike, drejtësinë si instrument i deformuar dhe kujtesën si mjet mbijetese kombëtare. Prej nga shihet pjekuria e plotë e mendimit të autorit, ku përvoja personale, reflektimi filozofik dhe analiza politike ndërthuren në një rrëfim të fuqishëm dhe të qëndrueshëm.

Autori e trajton propagandën kundërshqiptare serbo-ruse jo si një fenomen sporadik, por si një strategji të koordinuar dhe afatgjatë. Ai e përshkruan atë si një mekanizëm që nuk synon vetëm deformimin e realitetit, por edhe zhdukjen e vetë kujtesës së rezistencës. Kjo është një ide thelbësore: nuk luftohet më vetëm e tashmja, por edhe e kaluara. Lufta për interpretimin e historisë bëhet kështu një front po aq i rëndësishëm sa edhe vetë lufta fizike.

Në këtë kuadër, autori argumenton se propaganda nuk është ndalur te demonizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por është zgjeruar drejt delegjitimimit të gjithë strukturës shtetërore të Kosovës. Kjo qasje e bën analizën më gjithëpërfshirëse dhe e vendos librin në një kontekst më të gjerë politik dhe historik. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një përpjekje për të njollosur të kaluarën, por me një projekt për të dobësuar të tashmen dhe për të kontrolluar të ardhmen.

Një nga idetë më të fuqishme të kësaj vepre është koncepti i drejtësisë së deformuar. Autori thekson se kur drejtësia përdoret për të ndëshkuar ata që luftuan për mbrojtje dhe jo ata që kryen krime, ajo humbet thelbin e saj. Kjo nuk është thjesht një kritikë ndaj një institucioni të caktuar, por një reflektim më i gjerë mbi rrezikun e instrumentalizimit të drejtësisë në funksion të interesave politike.

Në këtë kontekst, ai e përkufizon këtë fenomen si një “barazi e rreme” – një përpjekje për të barazuar viktimën me agresorin. Ky formulim është ndër më të goditurit në të gjithë veprën, sepse sintetizon në mënyrë të përkryer shqetësimin kryesor të autorit: zhbërjen morale të historisë.

Një tjetër dimension i rëndësishëm është trajtimi i figurave të luftës dhe i gjeneratës çlirimtare. Autori i sheh ata jo vetëm si pjesë të së kaluarës, por si një “busull” për të ardhmen. Kjo metaforë është domethënëse, sepse e zhvendos fokusin nga glorifikimi statik drejt funksionit orientues të historisë. Kjo gjeneratë nuk duhet vetëm të nderohet, por të kuptohet dhe të përvetësohet si model vlerash.

Në një nga pasazhet më origjinale, autori e përshkruan këtë gjeneratë si një “recetë” kundër harresës. Kjo metaforë, ndonëse e pazakontë në diskursin akademik, është shumë efektive në planin retorik. Ajo sugjeron se kujtesa nuk është vetëm një akt emocional, por një proces aktiv që kërkon përvetësim dhe përkushtim. Edhe nëse kjo “recetë” mund të mos jetë gjithmonë e pëlqyeshme për të gjithë, ajo mbetet, sipas autorit, e domosdoshme për shëndetin moral të shoqërisë.

Autori paralajmëron me forcë për rrezikun e manipulimit përmes propagandave të sofistikuara. Ai vë në dukje se këto mekanizma nuk veprojnë më në mënyrë të drejtpërdrejtë, por përmes një procesi gradual që e bën të zezën të duket gri dhe të bardhën të duket e zezë. Kjo analizë është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e sotëm, ku informacioni është i bollshëm, por e vërteta shpesh e paqartë.

Ashtu sikurse, autori nuk harron të theksojë edhe dimensionin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës. Ai e përshkruan historinë e saj jo vetëm si një histori lufte, por si një dëshmi të solidaritetit ndërkombëtar dhe të ndërgjegjes njerëzore. Ky është një moment balancues në tekst, ku kritika ndaj padrejtësive nuk e errëson plotësisht rolin pozitiv të aleancave dhe mbështetjes ndërkombëtare.

Një nga mesazhet më të qarta dhe më të forta të kësaj vepre është ideja se liria nuk është një trofe, por një amanet. Ky formulim e ngre diskutimin në një nivel etik dhe filozofik. Liria kërkon kujdes, kujtesë dhe veprim. Pa këto elemente, ajo rrezikon të zbrazet nga kuptimi i saj.

Në vijim, autori rikthehet te simbolika e burgut në Hagë, duke e përshkruar atë jo vetëm si një hapësirë fizike, por si një metaforë të një heshtjeje të organizuar. Kjo heshtje, sipas tij, është më e rrezikshme se vetë padrejtësia, sepse ajo e maskon atë. Referenca ndaj Ismail Kadares e thellon këtë ide, duke e lidhur atë me një traditë më të gjerë letrare dhe filozofike mbi heshtjen dhe të vërtetën.

Një nga pamjet më të bukura dhe më domethënëse të kësaj vepre është reflektimi mbi mënyrën se si kombi shqiptar e ka ruajtur historinë e tij. Përmes gojëdhënave, këngëve, tregimeve dhe kujtesës kolektive, e vërteta ka mbijetuar edhe në kushtet më të vështira. Ky është një mesazh i fuqishëm: edhe kur institucionet dështojnë, kujtesa popullore mund të mbetet një bastion i së vërtetës.

Në thelb, nëpër faqet e këtij libri paraqitet një thirrje për vetëdije dhe përgjegjësi. Duke qartësuar se ajo nuk mjaftohet me analizën e së kaluarës, por kërkon angazhim në të tashmen dhe vigjilencë për të ardhmen.

Në pjesën përmbyllëse të veprës së tij, Dr. Ahmet Shala e ngre reflektimin nga një përvojë personale dhe kombëtare në një dimension universal, duke e vendosur librin në një horizont më të gjerë moral dhe historik. Ai nuk flet më vetëm për Kosovën si një rast i izoluar, por si një provë për vetë ndërgjegjen e njerëzimit. Në këtë kuptim, libri kapërcen kufijtë e një rrëfimi dokumentar dhe bëhet një tekst me peshë filozofike, etike dhe qytetëruese.

Autori shtron një tezë themelore: e vërteta e Kosovës nuk është vetëm çështje e një populli, por pjesë e kujtesës së përbashkët njerëzore. Ai e koncepton këtë të vërtetë si një amanet që duhet ruajtur, transmetuar dhe mbrojtur nga harresa dhe deformimi. Kjo ide përbën boshtin moral të gjithë veprës dhe e vendos lexuesin përballë një përgjegjësie që nuk është thjesht historike, por edhe shpirtërore.

Në mënyrë të veçantë, autori e trajton çështjen e Hagës si një nyje ku përplasen drejtësia, politika dhe ndërgjegjja. Ai argumenton se ajo që ndodh në Hagë nuk është vetëm proces juridik, por një moment vendimtar për mënyrën se si do të shkruhet historia. Në këtë kuptim, gjykimi i individëve shndërrohet në gjykim të kujtesës kolektive dhe të vetë shkrimit të historisë së një populli e kombi.

Një nga figurat më të fuqishme që përdor autori është ajo e së vërtetës si një forcë e pashkatërrueshme. Ai e përshkruan atë si një element që mund të shtypet, të vonohet, madje edhe të deformohet përkohësisht, por që në fund gjithmonë depërton dhe del në sipërfaqe. Kjo metaforë i jep veprës një dimension shprese dhe qëndrueshmërie, duke e balancuar tonin kritik me një besim të thellë në triumfin e së drejtës.

E në vijim, autori artikulon një nga mesazhet më të forta të librit: heshtja nuk është neutralitet, por bashkëfajësi. Ai paralajmëron se të heshtësh për padrejtësinë do të thotë të heqësh dorë nga vetë identiteti historik dhe moral. Kjo ide shndërrohet në një thirrje të drejtpërdrejtë për angazhim, duke e kthyer librin në një manifest të ndërgjegjes qytetare.

Një dimension tjetër i rëndësishëm është reflektimi mbi raportin midis të vërtetës dhe guximit. Autori e shpjegon se pranimi i së vërtetës nuk është vetëm një akt intelektual, por një akt shpirtëror që kërkon empati dhe ndjeshmëri. Kjo e zhvendos debatin nga fusha e fakteve në atë të etikës, duke e bërë librin jo vetëm një dëshmi, por edhe një apel për humanizëm.

Në kulmin e këtij reflektimi, autori arrin në një formulim të qartë dhe të drejtpërdrejtë: në Hagë nuk po gjykohen vetëm individë, por vetë historia e një populli dhe ndërgjegjja e botës. Ky është një përfundim i fortë, që i jep veprës një dimension dramatik dhe universal, duke e bërë atë të rezonojë përtej kontekstit shqiptar.

Një vend të veçantë në këtë vepër zë edhe mesazhi për brezat e rinj. Autori i sheh ata jo thjesht si trashëgimtarë të historisë, por si krijues aktivë të saj. Ai i fton të ndërtojnë paqe pa harruar të kaluarën, të kërkojnë drejtësi pa rënë në urrejtje dhe të ruajnë balancën midis kujtesës dhe vizionit për të ardhmen. Ky është një mesazh i pjekur dhe i domosdoshëm, që i jep veprës një dimension edukativ dhe orientues.

Në këtë kontekst, liria nuk paraqitet si një arritje e përfunduar, por si një proces që kërkon kujdes të vazhdueshëm. Ajo është një barrë morale dhe historike që duhet mbajtur me vetëdije dhe përkushtim. Kjo qasje e zhvendos fokusin nga glorifikimi i së kaluarës drejt përgjegjësisë për të ardhmen.

Autori përdor gjithashtu një krahasim të fortë historik për të ilustruar rrezikun e deformimit të drejtësisë, duke kujtuar se edhe regjime të tjera në histori kanë përdorur ligjin për të justifikuar padrejtësinë. Ky paralelizëm i jep argumentit të tij një dimension universal dhe e vendos çështjen e Kosovës në një kontekst më të gjerë historik.

Në fund, autori arrin në një përfundim të prerë: drejtësia që nuk është e barabartë, nuk është drejtësi. Nëse ajo zbatohet selektivisht dhe në mënyrë të njëanshme, ajo shndërrohet në një instrument politik dhe jo në një vlerë universale. Ky është një konstatim i fortë, që sintetizon gjithë kritikën e veprës.

Në përfundim mund të them se “Kur heshtja flet” është një vepër që ndërthur rrëfimin personal, reflektimin filozofik dhe analizën historike në një strukturë të vetme dhe të qëndrueshme. Ajo nuk është thjesht një libër kujtimesh apo një reagim emocional, por një tekst i ndërtuar me vetëdije të lartë intelektuale dhe me një qëllim të qartë: të mbrojë të vërtetën nga harresa dhe deformimi.

Vlera kryesore e librit qëndron në aftësinë e tij për ta kthyer heshtjen në fjalë dhe dhimbjen në dëshmi. Autori arrin të krijojë një rrëfenjë që është njëkohësisht personale dhe kolektive, duke e bërë lexuesin pjesë të një përvoje që tejkalon individin.

Nga pikëpamja stilistike, vepra karakterizohet nga një gjuhë e ngarkuar emocionalisht, por e kontrolluar, me figura të forta dhe ritëm të qëndrueshëm. Ajo arrin të ruajë ekuilibrin midis patosit dhe argumentit, duke mos rënë në retorikë të zbrazët.

Në planin tematik, libri trajton çështje të mëdha si drejtësia, e vërteta, kujtesa, propaganda dhe përgjegjësia morale. Këto tema nuk trajtohen në mënyrë abstrakte, por të lidhura ngushtë me përvojën konkrete historike të Kosovës, duke i dhënë veprës autenticitet dhe peshë.

Në fund, kjo vepër mbetet një thirrje e fuqishme: të mos harrojmë, të mos heshtim dhe të mos lejojmë që e vërteta të zëvendësohet nga historitë e rreme. Ajo është një kujtesë se historia nuk është vetëm ajo që ka ndodhur, por edhe ajo që ne zgjedhim të tregojmë për të. Dhe pikërisht këtu qëndron fuqia e saj më e madhe: në bindjen se fjala, kur është e vërtetë, ka fuqinë të përballojë edhe heshtjen më të rëndë.

Në këtë mënyrë, vepra e Ahmet Shala afirmohet si një tekst që nuk kërkon vetëm të lexohet, por të reflektohet, të diskutohet dhe mbi të gjitha – të dëgjohet. Sepse, në fund, siç sugjeron vetë titulli, janë pikërisht momentet kur heshtja flet ato që kërkojnë më shumë vëmendje nga ne.

Në përmbyllje, mund të thuhet se kjo vepër paraqitet si një punim me peshë të veçantë jo vetëm letrare, por edhe historike e politike. Ajo i jep lexuesit jo vetëm njohuri, por edhe një ndjenjë detyrimi: për të kujtuar, për të reflektuar dhe mbi të gjitha, për të mos heshtur.

Prof. Dr. Kudusi Lama – gjeneral në pension

Tiranë më 24 mars 2026

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ndaj deklaratave të…