Kokalla në gjykatë: Nuk kam lidhje me rastin, policia më tha se jam ‘kryesori’
Gjatë seancës së sotme gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, dëshminë e tij e ka dhënë Kushtrim Kokalla, ku ka folur për mënyrën e intervistimit dhe trajtimin nga policia.
I pyetur nga avokati i tij, Ndrecë Dodaj, se si kishte përfunduar në polici, Kokalla ka thënë se ishte ftuar nga autoritetet.
“Më kanë thirrur policia që të dorëzohem në stacionin policor në Gjakovë”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se pas ardhjes në Prishtinë, intervistimi nuk kishte nisur menjëherë.
“Intervistimi ka nis diku 30 minuta me vonesë”, ka thënë Kokalla.
Në lidhje me trajtimin nga policia, ai ka thënë se nuk kishte përjetuar dhunë fizike.
“Realisht nuk mund të them se më kanë keqtrajtuar policia. Nuk kam pasë dhunë fizike,” u shpreh ai.
Megjithatë, Kokalla ka pretenduar se gjatë kohës para intervistimit i ishin bërë deklarata nga zyrtarët policorë pa praninë e avokatit.
“Më thanë pse më kanë arrestuar, që ti je kryesori edhe pse s’e ke ngrit gishtin, ti e ke bo skenarin dhe është në interesin të juajin dhe tonin të na tregosh si e ke bërë skenarin. Në atë moment nuk ishte prezent avokati”, ka thënë ai.
Sipas tij, më pas i ishte mundësuar një bisedë e shkurtër me avokatin.
“Më mundësuan me biseduar me avokatin, shkurt 2-3 minuta, dhe i thash që s’kam të bëj me këtë rast”, ka thënë Kokalla.
Ai gjithashtu e ka përshkruar mënyrën se si ishte zhvilluar intervistimi nga hetuesit.
“Gjatë intervistimit kanë qenë 4-5 policë hetues. Më kujtohet se njëri shkruante, tjetri bënte pyetje, pa e përfunduar përgjigjen tjetri bënte pyetje”, ka thënë ai.
Në fund, Kokalla ka mohuar çdo përfshirje në rast.
“Nuk kam pas asnjë lidhje me këtë punë, që e kam taku me Granitin e me Naimin për kryerjen e veprës”, ka thënë Kokalla.



