Albulena Haxhiu thotë se vendimi për mbështetjen financiare të ekspozitës u mor në Kryesi të Kuvendit
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se vendimi për mbështetjen financiare të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” është marrë në Kryesinë e Kuvendit, në përputhje të plotë me Rregulloren për subvencionim.
Në reagimin e saj, Haxhiu thotë se përveç përfaqësuesve të Listës Serbe, të gjithë anëtarët e tjerë kanë votuar në favor të këtij vendimi.
Megjithatë, ajo thotë se “si Kryetare e Kuvendit, ndjej obligim institucional dhe moral të shpreh keqardhjen time për situatën e krijuar”.
“Kryesia ka vepruar mbi bazën e informacionit të paraqitur në atë kohë dhe nuk ka pasur indikacione për pasaktësi. Njëkohësisht, duhet theksuar se verifikimi i të dhënave nuk bie në kompetencat e drejtpërdrejta të Kryesisë”.
“Mbështetja për këtë ekspozitë është dhënë me qëllim të mirë. Megjithatë, ky rast përbën një moment të rëndësishëm reflektimi institucional”, tha mes tjerash Haxhiu.
Në fund, ajo u shpreh se do të ndërmarrin hapa konkretë për të forcuar mekanizmat e vlerësimit, përmes themelimit të komisioneve të posaçme profesionale dhe ndryshimit të Rregullores ekzistuese, me qëllim fuqizimin e kritereve dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në vendimmarrje.



