Haxhiu përkujton Masakrën e Belegut: Drejtësia për viktimat mbetet prioritet i yni
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar masakrën e Belegut.
Ajo ka theksuar se më 29 dhe 30 mars 1999, në fshatin Beleg, forcat serbe ekzekutuan 46 civilë shqiptarë.
“Fshati u dogj, familjet u dëbuan, duke lënë pas jo vetëm shtëpitë, por edhe paqartësinë për fatin e më të dashurve të tyre”.
“Deri më sot, shumica e viktimave të kësaj masakre mbeten të zhdukur. Për shumë familje, ajo ditë nuk ka marrë fund. Mungesa e informacionit për vendndodhjen e tyre dhe mungesa e proceseve të plota gjyqësore për autorët e krimit e mbajnë këtë çështje të hapur”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë dhe për ndjekjen e përgjegjësisë penale për krimet e kryera.
“Drejtësia për viktimat mbetet prioritet i yni. Lavdi të gjithë të rënëve për liri!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.



