Kurti paralajmëron ligj për çmimet tavan, kundërshton propozimin për heqjen e TVSh-së dhe akcizës për karburantet

30 mars 2026 | 11:56

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar propozimet për heqjen e TVSh-së dhe akcizës për karburantet, duke i cilësuar ato si të pamenduara mirë dhe të pabazuara në praktika të suksesshme ekonomike.

Sipas tij, masa të tilla mund të përfundojnë duke favorizuar përfitimet e kompanive, në vend që të lehtësojnë barrën e qytetarëve.

Ai ka thënë se edhe vende të fuqishme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me rritjen e kostove si pasojë e zhvillimeve ndërkombëtare, duke përmendur ndikimin e konfliktit në ngushticën e Hormuzit në tregjet globale të energjisë.

“Bindja ime e fuqishme është që këto propozimet për heqje të TVSh-së e të akcizës nuk janë mirë të menduara dhe nuk bazohen në përvoja të suksesshme apo në dije ekonomike. Është e rëndësishme që të kemi kujdes, të mos i shërbejmë super profitit të ndokujt në vend se t’ua zbusim barrën qytetarëve. edhe vetë shteti më i fuqishëm si ShBA-së është duke e vuajtur koston e luftës që po zhvillohet në ngushticën e Hormuzit”, ka thënë Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Në këtë drejtim, Kurti ka thënë se qeveria është duke përgatitur një ligj për vendosjen e tavanit të çmimeve për produktet bazë. Ai ka thënë se një nismë e tillë është vonuar në të kaluarën për shkak të sfidave ligjore dhe ankesave në Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por ka shprehur bindjen se ligji do të miratohet së shpejti.

Kurti ka deklaruar se Kosova mbetet plotësisht e varur nga importi i naftës, duke theksuar se mungesa e burimeve vendore dhe e rafinerive e bën vendin të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Sipas tij, kjo situatë ndikon që kostot e rritura jashtë vendit të reflektohen edhe më fort në tregun e brendshëm, duke rënduar mbi qytetarët. Ai ka thënë se Kosova jo vetëm që nuk prodhon naftë, por as nuk ka kapacitete për përpunimin e saj, çfarë e shton ndikimin e inflacionit të importuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marrëdhënia mes Brikenës dhe Mateos duket se nuk është më…