Formohet grupi punues për shqyrtimin e aplikacioneve për anëtarë të KGJK-së
Me të gjitha votat për është formuar grupi punues prej pesë anëtarësh për shqyrtimin e aplikacioneve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës(KGJK) nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesja e grupit punues është Blerta Deliu-Kodra, ndërsa anëtarë janë, Vigan Qorroli nga LV, Besnik Tahiri nga AAK, ndërsa nga komunitetet Erxhan Galushi dhe nga Lista Serbe është Ljiljana Stefanovic.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Përparim Gruda shpjegoi punën e grupit punues dhe propozoi që prej secilit grup parlamentar të caktohet nga një anëtar.4
“Gjithsej kemi 23 aplikantë. Janë 19 aplikantë shqiptarë dhe katër serbë. Pra janë plotësuar kushtet për t’u formuar grupi punues për shqyrtimin e aplikacioneve të kandidatëve. Kryesuesi i grupit punues në mbledhjen e radhës e njofton komisionin me gjeturat sa i takon kandidatëve dhe si komision dakordohemi për datën dhe kriteret e intervistimit të kandidatëve. Më lejoni t’ju informoj që aktualisht janë tri pozita të lira për plotësimin e përbërjes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës si në vijim: Një anëtar nga radhët e jogjyqtarëve nga komuniteti shqiptar sipas nenit 108, paragrafi 6, nënparagrafi 2 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht amendamentit numër 25. Dy anëtarë nga komuniteti serb sipas nenit 108, paragrafi 6, nënparagrafi 3 të Kushtetutës, ku të paktën njëri prej tyre duhet të jetë gjyqtar”, ka thënë Gruda.
Ai ka shpjeguar se grupi punues duhet të mblidhet për të shqyrtuar dosjet e kandidatëve.
Ndërsa, anëtari i Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tha se nuk e ka problem se kush e kryeson grupin punues.
Kurse, anëtari tjetër po nga kjo parti, Vigan Qorroli derisa tha se pranon të jetë pjesë e grupit punues, shtoi se nuk është problem se a udhëhiqet grupi nga pozita apo nga opozita. “Secili e ka përgjegjësinë, me vetë faktin e të qenurit deputet mund ta kryesojë legjitimisht, kështu që i takon komplet komisionit për me përcaktu këtë. Kështu që nëse ka eventualisht mospajtime a ta kryeson mazhoranca apo opozita, atëherë mundemi me qit në votim. Nuk është ndonjë farë problemi kjo”, tha Qorrolli.



