Ekspozita skandaloze në shesh: Policia dhe prokuroria i shkojnë në banesë Shkëlzen Gashit
Anëtari i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, bashkëpunëtor dhe mik i Shkëlzen Gashit, autorit të ekspozitës me pasaktësi për masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë,ka njoftuar se një njësit policor i Drejtorisë së Krimeve të Rënda ka kryer bastisje në banesën e Gashit, me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Gashi është shoqëruar nga policia për në stacion, megjithëse deri më tani nuk raportohet të jetë arrestuar zyrtarisht.
“Ky është njësiti i Drejtorisë së Krimeve të Rënda të Policisë, i cili me urdhëresë të Prokurorisë Speciale ndodhet në banesën e Shkëlzen Gashit. Kanë ardhë me bastisë banesën me mbledhë prova dhe me shoqëruar Shkëlzenin, i cili tashmë është nën shoqërimin e policisë, por ende i paarrestuar. Shekulli 21, vend demokratik, Prokuroria Speciale dhe Policia e Krimeve të Rënda bastisin e shoqërojnë njerëz për ekspozitë”, ka shkruar Gjinovci në “Facebook”.



