Rekomandohet suspendimi i policit në rroba civile, u përfshi në një rrahje në Prishtinë
Një zyrtar policor është arrestuar pas një incidenti që ka ndodhur në Prishtinë, ku dyshohet se i njëjti ishte përfshirë në një rrahje, ka njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Sipas njoftimit, rasti fillimisht ishte raportuar në Policinë e Kosovës si “rrahje në progres” në rrugën “Dervish Qollaku”, ku ishin përfshirë disa persona dhe ndër ta dyshohej edhe një zyrtar policor.
“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një incident në Prishtinë pas mesnatës ku dyshohej se ishte përfshirë një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare”, ka njoftuar IPK-ja.
Pas pranimit të informacionit, hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprime hetimore. “Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore është arrestuar zyrtari policor (jashtë detyrës zyrtare dhe në rroba civile) me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ të cilit me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka njoftuar IPK-ja.
Me këtë rast, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e përkohshëm të zyrtarit policor. “IPK-ja ka rekomanduar edhe suspendimin e përkohshëm ndaj zyrtarit në fjalë me qëllim të mos-ndikimit në procesin hetimor dhe garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë së hetimeve”, është thënë në këtë njoftim.
Sipas IPK-së, hetimet për këtë rast do të vazhdojnë në koordinim me prokurorin kompetent. “Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”, ka njoftuar IPK-ja.



