Fillon verifikimi i njehsorëve, MINTI konfirmon mospërputhje në kohë: Tërhiqen disa njehsorë
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se komisioni i posaçëm për verifikimin e ankesave të para nga konsumatorët për njehsorët elektrikë ka dalë në terren.
Përmes një komunikate për media, MINTI ka njoftuar se janë vërejtur mospërputhje në kohën e disa njehsorëve.
Sipas ministrisë, ata njehsorë te të cilët janë vërejtur mospërputhje janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës.
“Komisioni i posaçëm i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) për trajtimin e ankesave të konsumatorëve për njehsorët elektrikë, sot gjatë ditës ka dalë në terren bashkë me Inspektoratin Qendror të Tregut. Njehsorët, te të cilët janë vërejtur mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës”, është thënë në komunikatën e ministrisë, duke paralajmëruar se rezultatet do të dalin shumë shpejt.
“Rezultatet e verifikimeve të njehsorëve të parë pritet të dalin së shpejti dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, konkretisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të parashtrojnë ankesa në adresën elektronike [email protected], të bashkëngjisin numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet në kohën më të shpejtë të mundshme”, është thënë në komunikatë.



