Raporti i FMN-së: Ekonomia e Kosovës po rritet më ngadalë
Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) të enjten ka publikuar raportin vjetor për Kosovën, duke vlerësuar se ekonomia ka vazhduar të rritet, por me ritëm më të ngadalshëm, ndërsa inflacioni është rritur dhe rreziqet, veçanërisht ato nga pasiguria politike, mbeten të pranishme.
Siç ka thënë FMN-ja, pas një viti me bllokadë politike, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar. Rritja reale e Bruto Produktit të Brendshëm (BPB) ka rënë në 3.6 për qind në vitin 2025, nga 4.6 për qind në vitin 2024. Kjo sipas FMN-së, ka ardhur si pasojë e rënies së eksporteve dhe dobësimit të kërkesave nga sektori privat, por është kompensuar pjesërisht nga rritja e shpenzimeve dhe investimeve publike.
Inflacioni në Kosovë, siç ka theksuar FMN-ja, ka vazhduar të rritet dhe ka arritur në rreth 5.7 për qind në janar të vitit 2026, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimit.
Deficiti i llogarisë rrjedhëse, që tregon diferencën mes parave që hyjnë dhe dalin nga shteti është rritur në 9.2 për qind të BPB-së, kryesisht për shkak të rritjes së importeve, sidomos të energjisë dhe ushqimit. FMN-ja ka parashikuar se rritja ekonomike në vitin 2026 pritet të jetë 3.3 për qind, ndërsa inflacioni pritet të rritet në 5.9 për qind, pastaj të bjerë gradualisht në 2 për qind deri në vitin 2028.
“Deficiti tregtar do të mbetet i lartë për shkak të importeve të mëdha. Një nga arsyet e rritjes së deficitit në 2026 pritet të jetë edhe ndalja e përkohshme e një termocentrali me qymyr për renovim”, është thënë raportin e FMN-së.
FMN-ja ka përmendur edhe rreziqet për ekonominë e Kosovës, si konfliktet në Lindjen e Mesme, tensionet në tregtinë globale, rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe pasigurinë politike (si përshembull zgjedhja e presidentit).
Por, në anën pozitive, siç ka thënë kjo organizatë, Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian mund të ndikojë pozitivisht në rritje ekonomike dhe punësim nëse zbatohet me kohë.
FMN-ja i ka rekomanduar Kosovës të mos rrisë shumë shpenzimet buxhetore në vitin 2026, të ruajë stabilitetin makroekonomik, të rrisë investimet publike, të rrisë të hyrat buxhetore, të përmirësojë menaxhimin e financave publike, të forcojë mbikëqyrjen e sektorit bankar, të monitorojë kreditë dhe tregun e patundshmërive, të bëjë reforma strukturore për të rritur konkurrueshmërinë, të ulë papunësinë dhe të rrisë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, të zvogëlojë ekonominë joformale dhe të përmirësojë sektorin e energjisë.
Në fund, FMN-ja ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës ka perspektivë pozitive, por përballet me rreziqe nga situata politike dhe zhvillimet ndërkombëtare. Për këtë arsye, kërkohen reforma, kontroll i shpenzimeve dhe investime më të mençura në mënyrë që ekonomia të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe të afrohet me standardet e BE-së.
Raportin mund e plotë mund ta lexoni: KËTU



