Hasani: Ekspozita me pasaktësi për masakrat s’është gabim, por version i qëllimshëm i UDB-së, autorët të mbahen përgjegjës

02 prill 2026 | 12:14

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ish-i burgosur politik, ka thënë se ekspozita me pasaktësi për masakrat gjatë luftës në Kosovë “nuk është vetëm gabim”.

Ai ka thënë në Kuvendin e Kosovës se do ta flasë “një të vërtetë të rëndë”. Hasani ka kërkuar që autorët “të mbahen përgjegjës për ekspozitën, mashtrimin e institucioneve dhe organet e drejtësisë ta kryejnë punën e vet sipas ligjit”.

“Ajo që është prezantuar në këtë ekspozitë më datën 24 mars 2026 nuk është vetëm gabim, është prezantim i qëllimshëm i deklarimeve të UDB-së së asaj kohe”, ka thënë ai.

Hasani ka theksuar se “kjo është fyerje për viktimat, është fyerje për të burgosurit, për të mbijetuarit, është fyerje për të vërtetën për masakrën në burgun e Dubravës”.

“Admovere” dhe “Integra”, dy organizatat që drejtohen nga Shkëlzen Gashi dhe Kushtrim Koliqi, u kanë kërkuar falje të dielën familjarëve të viktimave civile, ndërsa bënë thirrje për “diskutim të hapur” për ta adresuar këtë çështje.

Hasani ka thënë se kjo është “e pamjaftueshme, sepse dëmi politik është bërë me prezantimin e versionit të UDB-së”.

“Kjo ekspozitë e ‘Integra’ dhe ‘Admovere’ është me pasoja të rënda politike për Kosovën dhe kërkimfalja e Shkëlzenit nuk e riparon dëmin e shkaktuar për shtetin tonë dhe për të vërtetën e masakrës së Dubravës”,  ka thënë Hasani, duke kërkuar  nxjerrjen e një ligji për “mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare të Kosovës”.

Fjalimi i plotë i deputetit Nait Hasani:

E nderuara Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,

Sot këtu nuk po flas vetëm si deputet.
Sot po flas si dëshmitar i masakrës në burgun e Dubravës.
Si njëri prej atyre që kanë qenë brenda burgut të Dubravës dhe në burgje të Serbisë.
Si njëri që e kam parë me sytë e mi se çfarë ka bërë shteti serb mbi trupat dhe jetët tona aty brenda burgut ndaj të burgosurve.

Dhe pikërisht për këtë, sot jam këtu për të thënë një të vërtetë të rëndë:

Ajo që është prezantuar në këtë ekspozitë më datën 24 mars 2026, nuk është vetëm gabim — është prezantim i qëllimshëm i deklarimeve të UDB-së të asaj kohe.
Kjo është fyerje për viktimat. Është fyerje për të burgosurit dhe të mbijetuarit. Është fyerje për të vërtetën e masakrës në burgun e Dubravës. Sepse kur një shqiptar, del dhe thotë në libër e në ekspozitë te financuar nga buxheti i shtetit dhe parajaa publike se në Burgun e Dubravës ka pasur kryengritje të burgosurve dhe janë vrarë 48 ushtarë të burgosur të armatosur dhe 58 të burgosur civilë, ai nuk ka treguar të vërtetën; ai ka prezantuar sot, pas 27 viteve të masakrës në Burgun e Dubravës, në sheshin e Prishtinës, propagandën e aparatit kriminal serb mbi masakrën në Burgun e Dubravës.

Në shtator të vitit 2024, në Shtëpinë e Mediave në Prishtinë, të organizuar nga BIRN Kosova e Jeta Xharrës, në debatin publik ku ka qenë prezent fotoreporteri serb Goran Tomašević, ish-oficer serb, ka thënë se policia serbe, respektivisht zyra e informacionit, ka njoftuar qendrën e mediave se në burgun e Dubravës ka rebelim të të burgosurve shqiptarë dhe janë detyruar gardianët të intervenojnë për ta shuar rebelimin e të burgosurve të armatosur shqiptarë. Dhe këtë, sipas fotoreporterit serb, ai e ka prezantuar në të gjitha mediat e botës si kryengritje e të burgosurve të armatosur në burgun e Dubravës.

Këto deklarata dhe rrëfime të rrejshme të fotoreporterit serb, unë, Enver Dugolli dhe Sadik Zeqiri, i kemi kundërshtuar për prezantimin e një të pavërtete mbi masakrën në burgun e Dubravës. Ai pastaj kërkoi falje, por kjo është e pamjaftueshme, sepse dëmi politik është bërë me prezantimin e versionit të UDB-së.

Dhe ekspozita e Integra-s dhe Admovere-s është me pasoja të rënda politike për Kosovën dhe për krimet serbe të bëra në Kosovë, dhe kërkimfalja e Shkëlzenit nuk e riparon dëmin e shkaktuar për shtetin tonë dhe për të vërtetën e masakrës në burgun e Dubravës.

Dhe më keq, këtë version të UDB-së deshi t’ia mvesh Fondit për të Drejtat Humanitare të Natasha Kandić, e cila e demantoi dhe e mohoi një version të tillë të marrë nga ajo.

Unë kam qenë i burgosur aty.
Ne kemi qenë të burgosur 960 aty.
Dhe në atë burg nuk ka pasur ushtarë.
Nuk ka pasur beteja.
Nuk ka pasur kryengritje.

Aty ka pasur vetëm të burgosur shqiptarë dhe dhunë e vrasje të shtetit serb mbi shqiptarët e pambrojtur.

Në Dubravë ka pasur masakër të shtetit serb mbi të burgosur nga gardianë, policë, ushtarë dhe të burgosur serbë; të gjithë të organizuar kanë hapur zjarr nga të gjitha anët më 22 dhe 23 maj 1999 mbi të burgosurit shqiptarë.

Aty janë vrarë njerëz të paarmatosur, nga mosha 17-vjeçare e deri mbi 60 vjeç, dhe një i zhdukur — ai është Ukshin Hoti.

Janë ekzekutuar njerëz që nuk kishin asnjë mundësi mbrojtjeje, të cilët, në bazë të konventave ndërkombëtare, duhej të mbroheshin nga shteti.

Dhe sot, në shtetin tonë, na paraqitet Shkëlzen Gashi me ekspozitën në Prishtinë, duke prezantuar versionin e UDB-së për masakrat në Kosovë, e në veçanti për masakrën në burgun e Dubravës.

Kjo nuk është vetëm e papranueshme.
Kjo është e turpshme dhe e dhimbshme për familjet e tyre dhe për ne të burgosurit.

Dhe po e them qartë:
Kushdo që e ka bërë këtë dhe e mbështet këtë vepër të tij është duke i bërë shërbim direkt Beogradit dhe Vuçiqit.

Këtë ma dëshmon angazhimi i tij i vazhdueshëm kundër UÇK-së, ku thotë se Dick Marty është një shqiptar i mirë, në versionin e tij, se ka mbledhur dëshmi kundër UÇK-së për trafikim organesh, ndërsa Shkëlzeni thotë se UÇK-ja ka bërë krime dhe ka vrarë civilë. Të gjitha këto i dëshmon në mediat e Kosovës për heronjtë tanë kombëtarë, me të cilët ne jemi rritur, jemi edukuar e frymëzuar për luftërat dhe betejat çlirimtare të Isa Boletinit, njeriu i cili e ka puthur flamurin e pavarësisë pranë Ismail Qemalit në Vlorë — ky e quan mercenar të Serbisë.

Unë sot i drejtohem drejtpërdrejt organizatorëve të kësaj ekspozite dhe mendësisë së tyre serbe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë çlirimtare, është çlirimtare e pastër dhe, së bashku me NATO-n dhe SHBA-në, Kosovës ia kanë sjellë çlirimin dhe lirinë.

Dhe kërkoj publikisht dhe pa asnjë kompromis:

— Që asnjëherë më të mos shfaqen ekspozita të tilla me përmbajtje të rreme.
— Që ky të mbahet përgjegjës për ekspozitën dhe mashtrimin e institucioneve dhe organet e drejtësisë ta kryejnë punën e tyre sipas ligjit.
— Të nxirret ligji për mbrojtjen e UÇK-së dhe vlerave të saj të krijuara me mund, gjak dhe sakrifica mbinjerëzore.

Nëse ne nuk e mbrojmë të vërtetën tonë, askush nuk do ta bëjë për ne.
Nëse ne lejojmë që historia jonë të shkruhet nga propaganda serbe e atyre që kanë kryer krimet në Kosovë, atëherë ne kemi dështuar si shtet.

Ne e dimë çfarë ka ndodhur në burgun e Dubravës.
Dhe ne nuk do të lejojmë që masakrat në Kosovë të masakrohen për herë të dytë nga mercenarë shqiptarë.

Ne, si grup parlamentar i PDK-së, dhe edhe unë si ish i burgosur dhe i mbijetuar i masakrës së burgut të Dubravës, kundërshtojmë këtë narrativë serbe të paraqitur nga Shkëlzen Gashi në ekspozitën e tij në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë dhe kërkojmë përgjegjësi politike.

Lavdi të rënëve në burgun e Dubravës dhe të gjithë të rënëve në Kosovë!
Faleminderit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan nxënësja: Olta Fazliu Ka shpirtra që jetojnë mes nesh,…