Tahiri i PDK-së: Qeveria po hesht përballë rritjes së çmimeve

03 prill 2026 | 14:45

Shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka folur për rritjen e çmimeve në foltoren e Kuvendit.

Ai ka thënë se qeveria po qëndron e heshtur përballë rritjes së çmimeve.

“Realisht, të gjithë pajtohemi se ky problem dhe kjo sfidë, me të cilën janë duke u ballafaquar ekskluzivisht qytetarët e vendit tonë, nuk është si rezultat i politikave të qeverisë. Pra, nuk është tema e çështja e fajtorit që qeveria e ka shkaktuar këtë krizë dhe këtë sfidë, me të cilën janë duke u ballafaquar qytetarët e Republikës së Kosovës. Por tema dhe pyetja kryesore është se çka është duke bërë qeveria e Republikës së Kosovës që t’i mbështesë qytetarët e vet në këtë kohë dhe në këtë sfidë, me të cilën janë duke u ballafaquar, e gjatë së cilës po vazhdojnë të rriten çmimet e naftës”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka krahasuar veprimet e shteteve të Bashkimit Evropian ndaj krizës së çmimeve, derisa thotë se në Kosovë qeveria po hesht.

“Dua që ta bëj një paralele me vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian, të cilat, secili shtet, secila qeveri e përgjegjshme, i kanë marrë masat dhe veprimet e nevojshme që të jenë në mbështetje të qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit të vet. Pra, nëse vendet e rajonit dhe vendet e zhvilluara, të gjitha me përgjegjësi, janë përgjigjur sfidës dhe kanë ndikuar pozitivisht me politika të mirëfillta fiskale dhe me mbështetje direkte, atëherë shtrohet pyetja pse qeveria e vendit tonë vazhdon të jetë shikuese ose aktor i cili vetëm e vëzhgon situatën, pa ndërmarrë veprimet e saj të nevojshme, të menjëhershme dhe të domosdoshme, edhe për ekonominë e vendit, mirëpo edhe për qytetarët e vendit tonë. Shumë shtete, pra, kanë subvencionuar drejtpërdrejt qytetarët, kanë mbështetur sektorët më të goditur si transporti, bujqësia dhe kanë krijuar pako të tëra antikrizë për të mbrojtur standardin e jetës. Gjithashtu, kanë zvogëluar akcizën, kanë përgjysmuar TVSh-në, kanë marrë veprimet e nevojshme të politikave fiskale. Ndërsa sot, në këtë seancë, ne po shohim se, në vend që të kishte ide konkrete e debat të mirëfilltë konkret mbi temën për të cilën është thirrur kjo seancë, i shohim deklaratat e formulimet e ministrave ekskluzivisht, por edhe të disa deputetëve, që tentojnë ta zhvendosin vëmendjen dhe të krijojnë formulime populiste. Mirëpo, koston dhe ballafaqimin me sfidën janë duke e bërë qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen jashtë kësaj salle”, është shprehur Tahiri.

Ai gjithashtu ka përmendur një deklaratë të kryeministrit Albin Kurti në vitin 2018, duke e krahasuar me gjendjen e sotme.

“Dua të kujtoj një deklarim të vitit 2018 të kryeministrit Albin Kurti, por edhe të ministrave në atë kohë, me disa eksponentë, kur ishin në opozitë dhe si lider opozitar alarmonte për rritjen e vazhdueshme të çmimit të naftës. Ndërsa sot, me gjithë këtë fuqi politike, kryeministri në krye të detyrës nuk është ai që alarmon dhe që merr veprimet e tij të nevojshme në mënyrë që t’i përgjigjet kërkesave dhe t’i mbështesë në këtë sfidë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në seancën e jashtëzakonshme që…