‘Duhet të lirohet’, dosja finale e dorëzuar në Speciale – si argumentoi mbrojtja kundër kërkesës për dënim Thaçit?
Avokati kryesor i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Misetiq, i ka kërkuar Gjykatës Speciale ta shpallë të pafajshëm dhe ta lirojë menjëherë klientin e tij, në versionin e dosjes përfundimtare gjyqësore, të dorëzuar fillimisht si konfidenciale më 19 janar 2026.
Së fundmi, më 27 mars, mbrojtja e Thaçit e ka dorëzuar “versionin e redaktuar publik të dosjes gjyqësore përfundimtare”, që është publikuar edhe nga gjykata.
Në konkluzionin e kësaj dosjeje, Misetiq ka shkruar: “trupit gjykues i kërkohet ta shpallë Thaçin të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës dhe të urdhërojë lirimin e tij të menjëhershëm”.
Misetiq ka shkruar se “rezultati i vetëm i drejtë i këtij gjykimi është shpallja e pafajësisë së Thaçit për të gjitha pikat e aktakuzës”.
“Nëse megjithatë trupi gjykues vendos të shqyrtojë çështjen e dënimit, Thaçit duhet t’i jepet lehtësim dënimi”, është thënë në dokument.
Avokati i Thaçit ka argumentuar se “dënimi maksimal i mundshëm është 15 vjet”.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të lidhura nga Kushtetuta. Neni 33(2) i Kushtetutës përcakton: ‘Asnjë dënim për një vepër penale nuk duhet të tejkalojë dënimin e paraparë me ligj në kohën kur është kryer vepra penale’. Neni 33(4) përcakton: ‘Dënimet shqiptohen në përputhje me ligjin në fuqi në kohën kur është kryer vepra penale, përveç nëse dënimet në një ligj të mëvonshëm të zbatueshëm janë më të favorshme për kryerësin.” Është e panevojshme të thuhet se, në rast të ndonjë konflikti ndërmjet Ligjit dhe Kushtetutës, Kushtetuta mbizotëron. Rrjedhimisht, ky trup gjykues duhet të përcaktojë dënimin maksimal që ishte i paraparë me ligj në vitet 1998 dhe 1999”, është thënë në dosjen përfundimtare gjyqësore të dorëzuar nga mbrojtja e Thaçit.
Në rastin e Sali Mustafës, mbrojtja e Thaçit ka thënë se trupi gjykues i Apelit, i cili sugjeroi se Gjykata Speciale ka të drejtë të shqiptojë dënim më të madh sesa ai i paraparë nga e drejta vendore, “është qartazi gabim”.
“Asgjë në Ligj nuk mund të mbizotërojë mbi ndonjë dispozitë kushtetuese që bie në kundërshtim me të. Thënë thjesht, Kuvendi i Kosovës nuk kishte autoritet ligjor për ta miratuar Ligjin, apo çfarëdo ligji tjetër, që është jokushtetues”, është thënë në dokument.
Avokati i Thaçit, ka thënë në dosjen përfundimtare gjyqësore se Gjykata Speciale “është e ndaluar në mënyrë kushtetuese të shqiptojë një dënim më të madh se 15 vjet, edhe për krimet e së drejtës zakonore”.
“Së paku, Trupi Gjykues është i detyruar të marrë parasysh diapazonin e dënimeve në fuqi në kohën përkatëse dhe çdo diapazon tjetër më të mëvonshëm më të butë për veprën, të parashikuar nga ligjet e Kosovës, gjatë përcaktimit të dënimit që duhet t’i shqiptohet një personi të shpallur fajtor për një krim sipas së drejtës ndërkombëtare, në përputhje me Nenin 44(2)”, është thënë në dokument.
Kjo do të thotë se mbrojtja e Thaçit, ka përfshirë Kodin Penal të ish-Jugosllavisë.
“Rrjedhimisht, trupi gjykues duhet të marrë parasysh diapazonin e dënimit të zbatueshëm në kohën e kryerjes, prej 5 deri në 15 vjet, 2240 i cili gjithashtu përbën diapazonin më të butë të dënimit në krahasim me versionet e mëvonshme të Kodit Penal të Kosovës. trupi gjykues duhet gjithashtu të marrë parasysh jurisprudencën e Kosovës bashkëkohore me veprën ose që lidhet me të njëjtën vepër dhe konflikt të armatosur, gjatë përcaktimit të dënimit të tij”, është thënë ndër tjerash në këtë dokument.
Misetiq i ka kërkuar trupit gjykues që “të marrë në konsideratë disa faktorë lehtësues”. Aty, ai ka theksuar ndër tjerash se “nuk do të kishte Dhoma të Specializuara të Kosovës, dhe as Zyrë të Prokurorit të Specializuar, po të mos ishin përpjekjet e Thaçit”.
Avokati ka përmendur edhe dorëheqjen e Thaçit nga pozita e presidentit të Kosovës më 5 nëntor 2020 dhe dorëzimin e tij vullnetar në Gjykatën Speciale.
“Së treti, edhe gjatë kohës sa ishte kreu i shtetit, Thaçi dha intervista të plota për Zyrën e Prokurorit të Specializuar në disa raste, duke dëshmuar bashkëpunim të mëtejshëm me Dhomat e Specializuara të Kosovës”.
“Së katërti, trupi gjykues ka dëgjuar prova të konsiderueshme se Thaçi ka bërë deklarata të shumta në favor të bashkëjetesës paqësore të popujve dhe duke u bërë thirrje shqiptarëve të mos kërkojnë hakmarrje ndaj fqinjëve të tyre serbë në verën e vitit 1999, për çka ai ka marrë vlerësim nga shumë dëshmitarë në këtë gjykim. Hill dëshmoi se Thaçi nuk ishte lloji i personit që do të kryente dhunë ndaj të tjerëve, 2250 ndërsa Covey dëshmoi në mënyrë të ngjashme”, është thënë në dosjen përfundimtare të mbrojtjes.
Avokati ka theksuar gjithashtu se Thaçit “iu lejua lirimi i përkohshëm katër herë dhe në çdo rast respektoi urdhrat e trupit gjykues dhe shfaqi sjellje shembullore”.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë dëgjuar më 9 shkurt në Gjykatën Speciale në Hagë kërkesën e Prokurorisë së Specializuar që secili prej tyre të përballet me një dënim të gjatë me burgim, për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West, në fillim të deklaratës përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kërkoi 45 vjet burgim për secilin prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë prej fillimit të nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.



