“Për tre muaj 4 punëtorë të vdekur në vendin e punës, në vitin 2025 – 32 viktima – asnjë nga familjet e tyre s’i ka vizituar Kurti”
Katër punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, në tre muajt e parë të këtij viti.
Ndërsa, në vitin 2025, janë shënuar 32 vdekje të punëtorëve në vendin e tyre të punës.
Këtë e ka bërë të ditur Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, në një intervistë për Gazeta Blic.
Ai tha se asnjë nga familjet e personave të vdekur nuk kanë marrë asnjë mbështetje asnjëherë nga qeveria.
“Ne i kemi numrat e saktë, sidomos që nga viti 2015 e deri më tani. Në vitin që kemi hyrë deri më tani kemi 4 raste të vdekjeve, që është një numër shumë i madh. Paramendojeni në vitin 2025 kemi parë 32 raste të vdekjeve në vendin e punës dhe ajo që është më e rëndë se ajo që na kanë shkuar punëtorët është se institucionet tona nuk kanë bërë asgjë lidhur me këto raste sepse ne gjithmonë e kemi trumbetuar dhe e kemi kërkuar që këto familje ta kenë një mbështetje nga qeveria derisa të përfundon procesi se a është fajtor pronari apo punëtori për rastin që ka ndodhur”, ka thënë ai.
Azemi ka theksuar se Kurti apo ndonjë ministër kurrë nuk kanë vizituar asnjë nga familjet e të vdekurve në Kosovë, derisa njëjtë nuk ka vepruar edhe për personat që vdiqën në vendin e tyre të punës në Austri.
“Ne e kemi respektuar vendimin e kryeministrit që ka shkuar për vdekjen e punëtorëve që kanë vdekur në Austri, është një gjest shumë i mirë, por a ka shkuar ai ose ndonjë ministër te familjarët e punëtorëve që kanë vdekur në Kosovë? Absolutisht nuk kanë bërë asgjë për ta, kanë shkuar për t’i vizituar në ato raste që nuk kanë qenë në Kosovë kur jo për rastet që kanë ndodhur në Kosovë, është normale që një pjesë e përgjegjësisë iu bie edhe kompanive por pjesë e saj është edhe shteti sepse ai i ka mekanizmat e vet për të mos ardhur deri te rastet e vdekjeve të punëtorëve të sektorit privat në vendin e punës”, është shprehur ai.
Sa i përket kontrolleve nga inspektorati, Azemi vlerëson se numri i inspektorëve nuk është i mjaftueshëm dhe ata që janë nuk janë adekuat.
“Nuk mund ta akuzoj punën e inspektorat që e bën por mund të japim vlerësim nga këndi jonë, ata mund të bëjnë kontrolle, vizita, por nga këndi ynë, kur e shohim numrin e punëtorëve të vdekur në Kosovë dhe në vendet tjera, të bën me dije që këtu fare nuk po bëhet asgjë realisht dhe fajtor pse po ndodh kjo është në rend të parë pronari e pastaj mekanizmi shtetëror. Unë mendoj që kemi numër të vogël të inspektorëve dhe ata që janë nuk janë adekuat lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë por mendoj që edhe disiplina dhe kriteret që i vendosin para pronarit të kompanisë nuk janë në nivelin e duhur sepse di shumë raste që iu është ndërprerë puna një kompanie e pas një jave ajo kompani ka vazhduar të punojë me po të njëjtat masa mbrojtëse të cilat i ka pasur jo në nivelin e duhur edhe më herët”, ka deklaruar Jusuf Azemi./Gazeta Blic/



