STADIUMI KOMBËTAR NË DRENAS – JA PSE
Shkruan: Xhemë Binaku, ish-zyrtar komunal, Drenas
Asnjë popull nuk humb kaq kohë për çështje aq të rëndësishme si ndërtimi i Stadiumit Kombëtar, siç po humbim ne!
Jo vetëm ditë e muaj, por edhe vite po kalojnë dhe ne, për inate të papranueshme, po sillemi në mënyrë të papërgjegjshme rreth këtij projekti. Viti 2030 është shumë më afër sot sesa ishte atëherë kur vendimi për ndërtimin e tij, sigurimi i pronës përmes bartjes nga AKP-ja për këtë destinim, si dhe projekti i stadiumit hungarez si model – madje edhe studimi i fizibilitetit – dukeshin në horizont.
Ka më shumë se një dekadë që Komuna e Drenasit kishte përgatitur arsyetimet e nevojshme për kërkesën drejtuar AKP-së për pronën në vendin e quajtur Krivovë, në Korraticë të Epërme, përballë Parkut të Biznesit, me qëllim që ajo t’i bartet komunës për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës, në funksion të Lojërave Mesdhetare 2030.
Natyrisht, aty Drenasi kishte disa ngastra jokompakte që duhej të bashkoheshin, si dhe të realizohej këmbimi i pronave me AKP-në, në mënyrë që të siguroheshin kushte edhe për ndërtimet tjera të nevojshme infrastrukturore, përveç stadiumit. Këto do të krijonin të gjitha parakushtet për një zonë sportive funksionale dhe moderne.
Kërkesat janë përcjellë me dosje të kompletuar në AKP dhe në Qeverinë e Kosovës, të shoqëruara me arsyetime konkrete:
Lokacioni ndodhet në qendër të Kosovës; aty kalon afër Autostrada “Ibrahim Rugova”; është rreth 11 km larg nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”; si dhe jo larg hekurudhës Prishtinë–Pejë. Pra, është një lokacion i përshtatshëm edhe për objektet përcjellëse të një stadiumi të madh.
Ndoshta nuk më kujtohen të gjitha arsyetimet e dorëzuara në dosje, për çka kërkoj falje, por kjo mund të verifikohet lehtësisht në arkivat e institucioneve përkatëse. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se kësaj kërkese i është dhënë përgjigje pozitive dhe prona në fjalë, rreth 11 hektarë, është bartur nga AKP-ja te një institucion qeveritar për këtë destinim.
Personalisht kam qenë kundër bartjes së pronës tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, prandaj edhe nuk kam pranuar ta nënshkruaj atë vendim. Megjithatë, në fund ai është nënshkruar nga përgjegjësi i komunës, sipas propozimit të dhënë.
Kjo e privoi komunën nga e drejta e pronësisë mbi këtë tokë.
Historikisht, këto prona janë shpronësuar nga qytetarët e Drenasit nga vetë komuna. Më pas, ato iu bartën Ndërmarrjes Shoqërore “Drenica” për ndërtimin e fermës së brojlerëve në vitet ’70, e cila funksionoi deri në fund të viteve ’80. Gjatë luftës 1998–1999, zona u përdor për stacionimin e forcave serbe, ndërsa më pas pësoi shkatërrim të plotë.
Prandaj, kjo pronë duhej t’i rikthehej institucionit që e kishte shpronësuar – komunës.
Deklaratat e shumta publike më tepër i kanë polarizuar qëndrimet sesa kanë ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje. Është koha që të gjithë t’i thërrasim arsyes dhe të përqendrohemi në ndërtimin konkret të Stadiumit Kombëtar, duke lënë anash përplasjet e panevojshme.
Shkurt: stadiumi duhet të ndërtohet aty ku është ndarë prona për këtë qëllim, pa krijuar ndasi të panevojshme në një çështje që është në interes të të gjithëve.
Një argument shtesë që duhet marrë parasysh është se zhvillimi i sportit duhet të përfshijë edhe komunat e mesme dhe të vogla, jo vetëm ato të mëdha apo kryeqytetin.



