Kurti dhe Abdixhiku zotohen për takime tjera rreth Presidentit, Hamza e pret ftesën me letër
Takimi i sotëm i zhvilluar mes Kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa ndonjë zgjidhje rreth çështjes së presidentit. Dyshja janë zotuar për takime tjera, teksa Kurti ka ftuar për takim edhe kreun e PDK’së, Bedri Hamzën. Ky i fundit ka kërkuar që ftesa t’i shkojë me letër, shkruan Reporteri.net.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, janë zotuar se do t’i vazhdojnë diskutimet për çështjen e presidentit, për të shmangur zgjedhje të reja.
Sipas Kurtit, as zgjedhjet nuk do të ofronin zgjidhje për Presidentin.
“Jemi të përcaktuar që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse ato nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Me fjalë tjera, është e vështirë që të paramendohet një fushatë zgjedhore ku ne i risjellim platformat dhe programet tona dhe me po të njëjtat zotime kërkojmë sërish votën e të njëjtëve qytetarë për një rezultat që e dimë që nuk mund të jetë shumë ndryshe”, ka deklaruar Kurti pas takimit me Abdixhikun, që zgjati rreth dy orë.
Pas takimit foli edhe Abdixhiku, i cili theksoi se kanë mbetur më pak se dy javë për arritjen e një marrëveshjeje. Në të kundërtën, tha se zgjedhjet janë të pashmangshme.
“Diskutuam për afatin kohor. Na kanë mbetur më pak se dy javë për të arritur një marrëveshje në të kundërt vendi shkon në zgjedhje. Në zgjedhje nuk fiton askush, as LDK. Po provojmë që përmes takimeve të gjejmë zgjidhje”, ka deklaruar Abdixhiku.
Abdixhiku theksoi se aktualisht nuk janë diskutuar emra konkretë dhe shtoi se LDK vazhdon të mendojë që tri pozitat më të larta nuk mund t’i takojnë një partie politike.
Edhe Abdixhiku tha se takimet do të vazhdojnë.
Kurti ka ftuar për një takim të tillë edhe Kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën. Hamza i ka kërkuar që t’ia çojë ftesën në letër “në mënyrë që të rritet edhe serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje”.
“Kryetari Hamza i ka kthyer përgjigje z. Kurti lidhur me ftesën për takim. Atij i është kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje. Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të PDK-së.
VV i ka propozuar dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuoromi, procesi ka mbetur në gjysmë./Reporteri.net



