Osmani pas linçimeve nga VV-ja: Me të gjithë do të përballem në gjykatë; e mbroja Kurtin, ai më rrëzoi
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se do të përballet në gjykatë me “të gjitha ata zyrtarë” që janë të përfshirë në akuza e linçime ndaj saj, derisa foli edhe për kryeministrin Albin Kurti.
Në një intervistë në Pressing, Osmani ka folur fillimisht për linçimet që po i bëhen në rrjete sociale:
“Sikur unë të kisha plane të tjera, nuk do të merresha me kandidaturë. Do të kandidoja ndoshta në zgjedhjet e dhjetorit. Do të kërkoja që të mos respektoheshin afatet kushtetuese, por të jepeshin 60 ditë, ashtu siç kërkonin në mënyrë antikushtetuese. Kushdo që ka dëshmi — nuk kanë, përveç atyre me inteligjencë artificiale — do të përballem me to deri në instancën e fundit. Për të gjithë ata zyrtarë që më kanë përfshirë, do të përballem në gjykatë.
Me komentues nuk merrem, sepse nuk e di nëse ekzistojnë si njerëz të vërtetë. Por me ata që janë sot në politikë dhe që më kanë akuzuar për pjesëmarrje në skema të tilla, do të merrem edhe në gjykata, deri në instancën e fundit, deri në frymën e fundit”.
Më pas, ajo foli edhe për kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai e rrëzoi derisa kjo e kishte mbrojtur edhe në situata të rënda.
“Një gjë duhet ta mbani mend: unë e kam mbrojtur kryeministrin Kurti kur të gjithë kanë qenë kundër tij, kur të gjithë kanë dashur ta rrëzojnë. Ai më rrëzoi mua, kur të gjithë më kërkonin për president. A e shihni dallimin këtu? Unë e kam mbrojtur edhe në momente të rënda, siç ka qenë marsi i vitit 2020, dhe në shumë sfida gjatë këtyre 5 viteve. Unë i dilja në mbrojtje”, u shpreh Osmani.
Në fillim të kësaj interviste, ish-presidentja tregoi edhe se kur nisi prishja e raporteve me Kurtin, dikur partnerë në koalicion.
“Unë i kam parë dallimet si krejtësisht normale sepse do të ishte e frikshme sikur të pajtoheshim për gjithçka. Kemi pasur interpretime të ndryshme të marrëveshjes së Brukselit, për mua ka qenë shqetësues neni 7, pastaj neni 10, që konfirmoi ato që nënshkruan Thaçi dhe Mustafa, janë pjesa e fundit e marrëveshjet. Por, kam thënë që kjo marrëveshje ka edhe disa nene të mira.
Ajo që kam kërkuar publikisht, që ka qenë dallim, ka qenë që neni 7 të specifikohet përmes aneksit dhe negociatave se çka kërkohet nga Kosova, se aty ka paqartësi të mëdha, çka nënkupton vetmenaxhimi, Kisha Ortodokse serbe. Këto kanë qenë kërkesa publike.
Këto nuk u qartësuan, kanë shkuar në një pikë edhe më keq me aneksin e Ohrit. Qeveria ka pasë qëndrim tjetër gjatë negocimit të planit të implementimit me Lajçakun, unë kam pasur kërkesa të tjera. Nga ajo që është na dorëzuar, për aq sa na është dorëzuar se s’e di çka është folur në takime…Ka pasur kërkesa, kanë qenë shumë të të larta në raport me Lajçakun dhe ai arsyetohej se Qeveria ka kërkuar të jetë fusnota, unë kam kërkuar që së pari Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Unë kam kërkuar që ajo të jetë e para, dhe jo e fundit. Serbia i merrte të gjitha, dhe në fund, thjesht tërhiqen sepse nuk i besohet Serbisë. Ai plan i implementimit kurrë nuk është arritur, tash me z.Sorensen besoj që do të riaktualizohet, nuk e di se si, e pam edhe këtë që u pa si kompromis i Kosovës sa i përket strukturave ilegale, ndoshta edhe ajo është rruga përpara” , tha ajo.



