Çmimet e naftës ranë në tregjet ndërkombëtare, naftëtarët e Kosovës thonë se ‘kjo pritet të reflektohet shpejt’ edhe te ne
Shoferët në Kosovë pritet që “shumë shpejt” t’i ndiejnë pasojat e lirimit të çmimit të naftës së papërpunuar në tregjet globale, sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.
Berjani ka thënë sot se çmimet në bursë pritet të “reflektohen” edhe në Kosovë, por jo menjëherë.
“Sot çmimi në bursë është duke u ulur dhe kjo pritet të reflektohet shumë shpejt edhe në Kosovë”, ka thënë Berjani në një deklaratë për portalin “Indeksonline”.
Aktualisht, çmimet në tregun vendor janë: dizeli 1.89 euro për litër, ndërsa benzina 1.46 euro për litër.
Megjithatë, ai ka theksuar se nuk mund të jepen afate të sakta për uljen e çmimeve në tregun vendor.
“S’mundemi me paragjykuar se kur do të ulen çmimet te ne, sepse krejt varet prej bursës”, është shprehur ai.
Sipas tij, ulja e çmimeve lidhet me zhvillimet ndërkombëtare dhe pritjet për marrëveshje që po ndikojnë në stabilizimin e tregut global të naftës.



