Isa Mustafa promovon librin për konvergjencën ekonomike të Kosovës me BE-në

08 prill 2026 | 12:42

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka promovuar librin e tij më të ri “Konvergjenca ekonomike e Kosovës me Bashkimin Evropian”, një botim që trajton në mënyrë të thelluar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit ekonomik të vendit në raport me standardet evropiane.

Në këtë libër, Mustafa sjell një analizë të gjerë mbi procesin e afrimit të ekonomisë së Kosovës me Bashkimi Evropian, raporton Ekonomia Online.

Mustafa foli për motivin për të trajtuar çështjen e ekonomisë në këtë libër. “Desha t’ju them se motivi kryesor i imi për t’u marrë me këtë çështje nuk ka qenë vetëm motivi akademik, por ka qenë edhe një ndjenjë përgjegjësie, edhe mendimet e vazhdueshme për përsëritjen e historisë në zhvillimin tonë ekonomik, për atë që quhet sindroma e të qenit i fundit në një sistem më pak të zhvilluar dhe në një sistem tjetër të fundit në zhvillim. Prandaj, pikërisht për këtë dilemë, e kam parë të domosdoshme që të përkushtohem në analizën e konvergjencës ekonomike të Kosovës, jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por edhe nga pikëpamja e reflektimit të shoqërisë sonë mbi rrugën që ne kemi zgjedhur si shoqëri në zhvillimin ekonomik dhe lidhur me masat që duhet të ndërmarrim që të dalim nga ky cikël në të cilin tani ndodhemi”, tha ai.

Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, tha se akademik Mustafa, si njohës i mirë i proceseve dhe rrjedhave ekonomike, edhe në këtë dorëshkrim ka një qasje shkencore, moderne dhe profesioniste, të bazuar në burimet dhe relevancën e kohës së kësaj fushe.

“Në këtë botim, ‘Konvergjenca e ekonomisë së Kosovës me Bashkimin Evropian’ trajtohet si një synim thelbësor për arritjen e një zhvillimi ekonomik që siguron standarde të larta jetësore për qytetarët dhe prosperitetin e vendit”, tha ajo.

Kurse, akademiku Besnik Krasniqi thotë se libri trajton tema që janë të rëndësishme në fushën e ekonomisë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Galaxy S26 Ultra lejon regjistrimin nga kënde krejt të reja,…