AIP prezanton raportin 2025 në Kuvend: Mbi 1 mijë ankesa dhe 367 inspektime për mbrojtjen e të dhënave
Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, ka prezantuar në Kuvendi i Kosovës para Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes raportin e punës së institucionit për vitin 2025, duke theksuar angazhimin në mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen në dokumente publike.
Sipas njoftimit, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka ushtruar fushë veprimtarinë e saj në mënyrë objektive dhe profesionale, në trajtimin e ankesave të adresuara, ofrimin e këshillave dhe opinioneve për institucionet publike, private, qytetarëve dhe grupe tjera të interesit.
Gjatë vitit 2025, AIP ka pranuar gjithsej 1,085 ankesa nga institucione, organizata, media dhe qytetarë. Në fushën e qasjes në dokumente publike, janë trajtuar 927 ankesa, ndërsa “832 ankesa kanë përfunduar me vendime administrative ndërsa 175 ankesa janë bartur për vitin 2026”.
Ndërkaq, për mbrojtjen e të dhënave personale, Agjencia ka pranuar 158 ankesa, ku “139 ankesa kanë përfunduar me vendime administrative ndërsa nëntëmbëdhjetë (19) ankesa janë bartur për vitin 2026”.
Në funksion të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit, AIP ka realizuar 367 inspektime, prej të cilave 226 sipas detyrës zyrtare dhe 141 bazuar në ankesa.
Agjencia ka theksuar gjithashtu përpjekjet për përafrim me standardet evropiane, duke bërë të ditur se “ka vazhduar veprimet për finalizimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Institucionet e Zbatimit të Ligjit, në përputhje me Direktivën (BE) 2016/680”.
Në aspektin e këshillimit, janë ofruar 58 këshilla ligjore për sektorin publik, privat dhe qytetarët, ndërsa aktivitetet ndërgjegjësuese kanë qenë të shumta. “Gjatë periudhës janar – dhjetor 2025, janë realizuar mbi 80 aktivitete informuese dhe janë trajnuar mbi 807 pjesëmarrës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Agjencia ka finalizuar katër udhëzues për mbrojtjen e të dhënave personale, përfshirë privatësinë në internet dhe sektorin shëndetësor, si dhe ka ndërmarrë hapa drejt digjitalizimit përmes lansimit të sistemit CMS për menaxhimin e rasteve.
Në planin ndërkombëtar, AIP ka realizuar mbi 20 aktivitete dhe ka marrë pjesë aktive në mekanizma evropianë, përfshirë European Data Protection Board.
Sipas raportit të Komisioni Evropian për vitin 2024, “Agjencia për Informim dhe Privatësi ka punuar në mënyrë të pavarur dhe efikase”, ndërsa legjislacioni në këtë fushë është në përputhje me standardet evropiane.
Raporti vjetor për vitin 2025 pritet të shqyrtohet dhe miratohet nga Kuvendi i Kosovës.



