Haxhiu pret në takim Kamberin dhe Sinanin, diskutohet mbështetja për Luginën
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, të mërkurën ka pritur në takim deputetin shqiptar nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi, si dhe kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, së bashku me një delegacion nga Lugina.
Haxhiu ka bërë me dije se gjatë takimit është diskutuar për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për Luginën në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, kulturën dhe funksionimin institucional.
Në fokus të bisedimeve ka qenë edhe përkrahja për studentët dhe specializantët nga kjo zonë.
Sipas saj, pjesë e diskutimit ka qenë edhe thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe roli i Kuvendit të Kosovës në adresimin e sfidave me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.
“Çështjet si pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave të fituara në Kosovë, gjuha e urrejtjes dhe pengimi i fondeve vazhdojnë të mbeten shqetësime të serioze”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Ajo ka theksuar se palët janë dakorduar për të vazhduar angazhimin institucional me qëllim adresimin e këtyre sfidave dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.



