Lushaku e LDK-së: Rreziku është shumë i madh që të shkohet në zgjedhje
Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nuk është arritur konsensus për rendin e ditës, duke bërë që ai të procedohet për votim në seancë plenare.
Ajo ka theksuar se mungesa e kompromisit dhe fleksibilitetit nga grupi më i madh parlamentar (Lëvizja Vetëvendosje) ka ndikuar në këtë situatë, ndonëse LDK-ja, sipas saj, ka qenë e gatshme të japë mbështetje për rezolutën dhe të tregojë fleksibilitet për renditjen e pikave.
“Me këtë rast dëshiroj të them që është vërtet për keqardhje që Kryesia e Kuvendit nuk arriti të gjejë një kompromis, si mungesë e një fleksibiliteti nga grupet grupi më i madh parlamentar në Kryesi, për të pasur një renditje tjetër. Edhe nganjëherë është shumë fatkeqësi të shohësh grupe të mëdha, forca që kanë numrin e votave dhe që mbivotojnë në mbledhje të tilla që të mos jenë fleksibil kur vjen në pyetje vetëm një renditje. Por me gjithë respektin ne kishim mbështetjen tonë përsa i përket rezolutës dhe ishim fleksibil sa i përket renditjes së pikave të rendit të ditës”, ka thënë ajo, duke u bërë thirrje për diskutime intensive në mes të partive politike për të gjetur një zgjidhje për institucionet dhe për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Më tutje, ajo ka paralajmëruar rrezikun e shkuarjes në zgjedhje të reja në mungesë të një marrëveshjeje.
“Ne presim që bisedat të jenë gjatë ditëve të mbetura, për aq kohë sa vendi duhet të i jepet president, dhe presim që të ketë intensifikim të tyre. Tani varet nga ata që kanë maksimumin e votave, por që rreziku është shumë i madh edhe që të shkohet në zgjedhje në mungesë zgjidhjeje. Dhe këtu kur flasim për këtë, flasim gjithmonë duke pasur parasysh se kush e ka numrin më të madh të votave dhe pa vullnetin politik të tyre nuk mund t’i jepet zgjidhje vendit dhe as nuk mund të zgjidhet presidenti”, ka thënë Lushaku-Sadriu.



