Haxhiu: Uroj që të mos vijë situata që ta shpall datën e zgjedhjeve

08 prill 2026 | 16:36

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se vendi nuk ka kohë për të humbur, duke shtuar se shpreson që presidenti i ri të zgjedhet brenda afatit kushtetues, në të kundërtën ajo do të duhet të shpallë datën e zgjedhjeve të reja.

Një ditë më parë, ajo ka deklaruar se është e hapur për të ndihmuar, nëse mundet, për çështjen e presidentit.

Ajo ka sqaruar të mërkurën pas mbledhjes së Kryesisë, se në cilësinë e kryetares së Kuvendit është e gatshme që të kontribuojë duke organizuar takime dhe diskutime me grupet parlamentare, nëse ato vlerësojnë se takime të tilla janë të nevojshme.

“Unë mirëpres vazhdimin e takimeve që kanë ndodhur në ditët që lamë pas. Urojmë që t’i lëmë anash të gjitha dallime dhe të jemi bashkë që ta gjejmë një zgjidhje për presidentin. Uroj që të mos vijë situata që si ushtruese e detyrës së presidentit të shpall datën e zgjedhjeve sepse siç e dini me aktgjykimin e Kushtetueses, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë kur ne përmbushim afatin dhe nuk zgjedhim presidentin”, ka thënë Haxhiu.

Sipas aktgjykimit të nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese në mars, deputetët kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin presidentin e ri të vendit, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

“Prandaj, nëse ju duhem grupeve parlamentare unë jam në shërbim të tyre të ndihmojë me takime. Por, mendoj që e rëndësishme është që të gjitha grupet parlamentare dhe partitë që përfaqësohen në Kuvend të dëshmojnë vullnet për ta gjetur një zgjidhje për presidentin”, ka thënë Haxhiu.

Ditë më parë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që njëherësh është kryeministër i Kosovës është takuar me Lumir Abdixhikun, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Megjithatë, gjatë takimit nuk është arritur ndonjë marrëveshje për çështjen e presidentit, por është paralajmëruar se takimet do të vazhdojnë në ditët në vijim edhe me Partinë Demokratike të Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Amir Rrahmani është duke ushtruar intensivisht për ta “kapur” fundin…