Izraeli kreu një nga sulmet më të mëdha ndaj Libanit, goditën mbi 100 objektiva
Ushtria izraelite (IDF) ka kryer sot një sulm të fuqishëm ndaj kryeqytetit të Libanit, Bejrutit, ndërsa në deklaratën zyrtare thuhet se janë goditur më shumë se 100 objektiva.
Në rrjetet sociale po qarkullojnë pamje të frikshme nga Bejruti. Sulmet kanë shkatërruar plotësisht disa ndërtesa, ndërsa në video shihen edhe flakë të mëdha.
Sipas ushtrisë izraelite, brenda vetëm 10 minutash është realizuar një nga sulmet më të mëdha të koordinuara në të gjithë Libanin që nga fillimi i operacionit “Luani që ulërin”.
Në këtë ofensivë janë shënjestruar mbi 100 baza të Hezbollahut, objekte ushtarake dhe qendra komanduese në Bejrut, në Luginën Bekaa dhe në jug të Libanit.
Deri më tani nuk ka informacione të konfirmuara për viktima nga kjo valë e fundit sulmesh, shkruan skynews.
Më herët, ushtria izraelite njoftoi gjithashtu se është vrarë Muhammad Dawad, një anëtar i Hamasit, për të cilin pretendohet se ishte përgjegjës për prodhimin e mjeteve shpërthyese.
Ndërkohë, kujtohet se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte njoftuar për një marrëveshje armëpushimi dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit, por kjo marrëveshje nuk përfshin Libanin.
Ministria libaneze e Shëndetësisë ka bërë të ditur se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite ka arritur në 1530, ndërsa 4812 persona janë plagosur. Mes viktimave janë gra, fëmijë dhe punonjës shëndetësorë. /Telegrafi/



