Kurti përkujton 27-vjetorin e Betejës së Koshares: Sakrificë për liri dhe shembje të kufirit

09 prill 2026 | 11:17

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e fillimit të Betejës së Koshares, një prej përballjeve më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka nderuar luftëtarët e rënë dhe pjesëmarrësit e kësaj beteje, duke e cilësuar atë si një përpjekje për shembjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për çlirimin e vendit.

“Më 9 prill 1999, në mëngjes herët, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mësyen mbi pozicionet ushtarake të Serbisë në brezin kufitar mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, duke sulmuar mbi bazën “7 korriku”, Rrasën e Koshares dhe majen Gllava. Nga ajo ditë, deri më 10 qershor, për dy muaj të plotë rresht, mijëra pjesëtarë të UÇK-së do të përfshiheshin në luftimet e Betejës së Koshares, në një territor të shtrirë prej disa kilometrash dhe në një reliev të thyer malor e kodrinor”, ka shkruar kryeminstri Kurti.

Postimi i plotë:

Si sot, 27 vite më parë, filluan luftimet e Betejës së Koshares, me qëllim shembjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, që prej dekadash i ndante dhunshëm shqiptarët mes tyre.

Më 9 prill 1999, në mëngjes herët, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mësyen mbi pozicionet ushtarake të Serbisë në brezin kufitar mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, duke sulmuar mbi bazën “7 korriku”, Rrasën e Koshares dhe majen Gllava. Nga ajo ditë, deri më 10 qershor, për dy muaj të plotë rresht, mijëra pjesëtarë të UÇK-së do të përfshiheshin në luftimet e Betejës së Koshares, në një territor të shtrirë prej disa kilometrash dhe në një reliev të thyer malor e kodrinor.

Beteja e Koshares nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi dhe vazhdoi deri në ditën e fundit të kësaj fushate. Gjatë atyre ditëve, një ushtri çlirimtare dhe gjithëkombëtare vullnetarësh siç ishte UÇK-ja, u kthye në një aleate të aleancës më të madhe ushtarake të botës, NATO-s, që së bashku i ndaluan fushatat e spastrimit etnik dhe të gjenocidit që Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit po i kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ndër luftime të ashpra gjatë Betejës së Koshares, 114 luftëtarë të UÇK-së ranë dëshmorë duke luftuar për çlirimin e Kosovës, teksa mbi 400 të tjerë u plagosën.

Në anën kundërshtare, pala serbe asnjëherë nuk do t’i publikonte të plota të dhënat e humbjeve të turpshme prej kësaj beteje, por mbi 100 pjesëtarë të ushtrisë jugosllave mbetën të vrarë kurse shumëfishi i numrit të tyre u plagosën.

Çdo pranverë, i kujtojmë me mirënjohje dhe nderime të gjithë luftëtarët e UÇK-së që morën pjesë me guxim në Betejën e Koshares, duke dhënë djersë, mund dhe gjak për atdheun tonë dhe lirinë e popullit.

Lavdi u qoftë dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares, sot e përmot!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot (e enjte) zhvillohen ndeshjet e para çerekfinale në garat…