Bajrami: Kur u raportua mbyllja e Hormuzit u rrit çmimi i naftës në Kosovë, kur ra dje mbeti i njëjtë, po tolerohet nga qeveria
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka cilësuar si absurde atë që po ndodh me çmimin e naftës në Kosovë. Ajo ka thënë se kur është dhënë lajmi për mbylljen e ngushticës së Hormuzit është rritur çmimi menjëherë në Kosovë, ndërsa dje kur çmimi i naftës ka rënë në bursa ndërkombëtare si pasojë e arritjes së armëpushimit ShBA-Iran, çmimi në Kosovë nuk ka ndryshuar.
“Në momentin që u raportua për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, çmimet në Kosovë u rritën menjëherë, por kur situata dje u qetësua dhe çmimet ranë në bursë, tek ne mbetën të njëjtat. Pra, për t’u rritur çmimi mjafton një lajm por për t’u ulur, duhet ‘kohë’. Kjo nuk është logjikë tregu, ky është abuzim ndaj qytetarëve”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.
Për këtë, Bajrami e ka fajësuar Qeverinë e Kosovës.
“E vërteta është që kjo situatë po tolerohet nga Qeveria, e cila në vend që të mbrojë qytetarët, po e shfrytëzon krizën për të mbushur buxhetin. Kemi thënë vazhdimisht: kjo nuk zgjidhet me marzha e çmime tavan që nuk kontrollohen dot. Problemi është shumë më i thellë: mungesë vullneti për të ulur taksat, mungesë menaxhimi dhe mungesë analizë të të dhënave. Sot, nuk ka as të dhëna bazike: Sa naftë ka në tregun vendor kur rriten çmimet? Me çfarë çmimi është importuar dhe a po shitet më shtrenjtë?”, ka shkruar Bajrami.



