OEAK-u kërkon reforma urgjente, paralajmëron rreziqe nga pasiguria politike dhe mungesa e vendimeve fiskale

10 prill 2026 | 11:54

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) është shprehur e shqetësuar për brishtësinë institucionale dhe mungesën e konsensusit politik në vend, duke paralajmëruar pasoja në zhvillimin ekonomik dhe reformat strukturore.

Në një deklaratë publike, OEAK-u ka theksuar se pas një periudhe të zgjatur të bllokadave institucionale, ekziston rreziku që edhe viti 2026 të karakterizohet me progres të kufizuar në reformat ekonomike. “Pas pothuajse një viti të plotë të reformave të ndalura në vitin 2025, ekziston rreziku real që edhe viti 2026 mund të jetë një vit i progresit të kufizuar në aspektin e reformave”, është thënë në deklaratën e OEAK-ut.

Sipas OEAK-ut, pasiguria politike dhe qeverisja e dobët ekonomike po ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e investitorëve dhe në procesin e transformimit strukturor të ekonomisë.

“Qeverisja e dobët ekonomike, e kombinuar me pasigurinë politike, minon momentumin e reformave, vonon transformimin strukturor dhe dobëson besimin e investitorëve”, ka theksuar OEAK-u.

Në këtë deklaratë, OEAK-u ka shprehur shqetësim edhe për mungesën e rishikimit të politikave fiskale për karburantet, në kushtet e luhatjeve globale të çmimeve të energjisë.

Oda Amerikane ka vlerësuar se disa shtete kanë ndërmarrë masa lehtësuese për të zbutur ndikimin e krizave ndërkombëtare, ndërsa Kosova, sipas saj, rrezikon rritje të barrës mbi bizneset dhe konsumatorët.

Në këtë kontekst, OEAK-u i është referuar edhe gjetjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili sipas deklaratës ka theksuar ngadalësim të rritjes ekonomike dhe ndikim të pasigurisë politike në treguesit makroekonomikë të vendit. “Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën thekson se pasiguria politike tashmë ka ngadalësuar rritjen, ka rritur inflacionin dhe ka dobësuar pozicionin e jashtëm të Kosovës”, është thënë në deklaratë.

Oda Amerikane ka theksuar se stabiliteti institucional dhe parashikueshmëria e politikave mbeten elemente kyçe për përballimin e sfidave aktuale ekonomike.

Në fund të kësaj deklarate publike, OEAK-u ka bërë thirrje për forcim të dialogut publiko–privat, duke e konsideruar atë të domosdoshëm për hartim më efikas të politikave dhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora…