Protesta e studentëve në Pejë: E turpshme ta mbrojmë UÇK-në nga shqiptarët
Sheshi i Pejës ishte mbushur të premten me studentë dhe qytetarë për të kundërshtuar fyerjen dhe gjuhën e urrejtjes ndaj ish-komandantit të zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, pas disa akuzave ndaj tij. Në këtë protestë, e cila është organizuar studentët e Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” është thënë se nuk do të heshtin karshi shtrembërimit të historisë. Mes parullave “Unë studioj shqip fal UÇK-së”, “Për UÇK-në, me UÇK-në” dhe “Larg duart nga UÇK-ja”, studentët kanë kërkuar të dëgjohet zëri i tyre.
Përfaqësuesi i studentëve, Ardit Bobi e ka quajtur të turpshëm faktin që studentët janë duke e mbrojtur UÇK-në nga shqiptarët.
Bobi ka thënë se historia e Kosovës nuk mund shtrembërohet dhe dinjiteti i vendit nuk preket. “Është e turpshme të mendojmë se nga kush po e mbrojmë, nuk po e mbrojmë nga serbët por po e mbrojmë nga shqiptarët. Sot nuk jemi mbledhur këtu vetëm në një shesh qytetit sot jemi mbledhur në një moment ku ndërgjegjja e një shoqërie vihet në provë sepse ka raste në histori kur një popull duhet të vendos a duhet të hesht përballë shtrembërimit, apo duhet të ngritët në mbrojtje të së vërtetës. Ne sot kemi zgjedhur të mos heshtim sepse historia nuk është vetëm kujtim historia është themeli mbi të cilin qëndron një shtet dhe kur ai themel fillon të lëkundet nga pasaktësi e harresa atëherë nuk rrezikohet vetëm e kaluara por gjithë e ardhmja. Nuk jemi këtu për të krijuar zhurmë, por jemi këtu sepse ndërgjegjja nuk na lejon të qëndrojmë të heshtur… Historia e Kosovës nuk shtrembërohet dhe e vërteta nuk relativiziohet kujtesa nuk përdhoset dinjiteti i Kosovës nuk preket”, ka thënë ai.
Para studentëve dhe qytetarëve, fjalën e ka marrë edhe rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Armand Krasniqi, i cili këtë protestë e quajti quajtur jo të zakonshme dhe sinjal që ky universitet po formon individ që nuk janë indiferent karshi zhvillimeve shoqërore. Sipas tij institucionet e vendit e ka për obligim të krijojë korniza ligjore që mbron identitetin shoqëror. “Kjo nuk është një ngjarje e zakonshme është sinjal që duhet kuptuar është dëshmi se universiteti po përmbush një nga funksionet e tij më thelbësore të formoj individ që nuk janë indiferent ndaj zhvillimeve shoqërore, por që reflektojnë dhe veprojnë me përgjegjësi . Ajo që po ndodh sot këtu nuk është një reagim i zakonshëm publik është një moment që kërkon një qasje të balancuar dhe të matur një qasje që kërkon lirin e shprehjes, por njëkohësisht e vendos atë liri përballë përgjegjësisë që ajo bart , një qasje që pranon debat po nuk pranon deformim të vlerave themelore mbi të cilat qëndron shoqëria jonë… Në këtë kuptim roli i institucioneve legjislative bëhet i domosdoshëm sepse ato kanë detyrimin për krijimin e një kornize që mbron dinjitetin shoqëror pa cenuar parimet demokratike”, ka thënë Krasniqi.
Para disa ditësh një person është arrestuar në Pejë, pasi kishte kërcënuar dhe ofenduar familjen Ramush Haradinaj.



