BDI: Strategjia “kombëtare” për kulturë – selektive, përjashtuese dhe kundër shqiptarëve
Bashkimi Demokratik për Integrim ka theksuar se strategjia nacionale për zhvillimin e kulturës, e promovuar nga Ministria e Kulturës, nuk po ndërton ura bashkëjetese – por është duke ngre mure përjashtimi.
“Në vend të përfaqësimit të barabartë, ajo po dëshmon një qasje të hapur selektive ndaj kulturës shqiptare. Ndër projektet që i anashkalojnë shqiptarët, parashikohet edhe mbyllja e Ansamblit muzikor në Tetovë – jo thjesht një institucion, por një simbol i identitetit dhe krijimtarisë shqiptare. Ta mbyllësh këtë Ansambël do të thotë të godasësh drejtpërdrejt kulturën dhe dinjitetin tonë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas kësaj partie, arsyetimi për “kapacitete të kufizuara” është i dobët dhe hipokrit.
“Ky Ansambël nuk është rastësi – është rezultat i një vizioni të qartë politik, i ndërtuar për të krijuar hapësira reale për artistët shqiptarë. Janë siguruar mjete, janë hapur vende pune, është ndërtuar një bazë solide që kërkonte vetëm vazhdimësi. Sot, në vend të zhvillimit, kemi sabotim”.
“Ministria e Kulturës dhe VLEN nuk po dështojnë rastësisht – po veprojnë me vetëdije. Fillimisht bllokuan punësimet, edhe aty ku kishte mjete të siguruara, dhe tani të njëjtën situatë e përdorin si alibi për mbyllje. Ky nuk është menaxhim i dobët -kjo është strategji për mohim dhe zhdukje”.
“Ndalimi i punësimeve në sektorin publik nuk ishte masë teknike – ishte goditje direkte ndaj institucioneve që përfaqësojnë shqiptarët. Kjo është politikë që prodhon diskriminim përmes vendimeve selektive”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas BDI-së, VLEN, në vend që të mbrojë interesin kulturor shqiptar, është bërë pjesë e problemit. “Ndërsa një ansambël i vërtetë kulturor mbyllet, VLEN performon një “ansambël” tjetër – atë të konformizmit politik, ku roli kryesor është heshtja përballë padrejtësisë. Në heshtje po shuajnë institucionet që mbajnë gjallë kulturën tonë”.
“Ansambli muzikor në Tetovë është më shumë se institucion – është trashëgimi, është identitet, është krenari. Mbyllja e tij nuk është thjesht vendim administrativ, por goditje e drejtpërdrejtë ndaj shpirtit kulturor shqiptar”, thuhet ndër të tjera në reagimin e BDI-së.



