Konjufca për vdekjen e Eliot Engelit: Trashëgimia e tij jeton në lirinë tonë

10 prill 2026 | 23:16

Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka thënë se mori me dhimbje lajmin për ndarjen nga jeta të njërit prej miqve më të mëdhenj të Kosovës, kongresistit amerikan Eliot Engel.

Konjufca ka theksuar se Engel ishte ndër zërat e parë dhe më të fuqishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që denoncoi regjimin gjenocidal të Serbisë dhe krimet në Kosovë, në një kohë kur shumëkush nuk e dinte të vërtetën.

“Me guxim dhe vendosmëri, ai artikuloi qartë domosdoshmërinë e ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë, duke u shndërruar në një nga mbështetësit më të palëkundur të së drejtës së popullit tonë për liri dhe vetëvendosje”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Postimi i plotë i Konjufcës: 

Mora me dhimbje lajmin për ndarjen nga jeta të njërit prej miqve më të mëdhenj të Kosovës, kongresistit amerikan Eliot Engel.

Ai ishte ndër zërat e parë dhe më të fuqishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që denoncoi regjimin gjenocidal të Serbisë dhe krimet në Kosovë, në një kohë kur shumëkush nuk e dinte të vërtetën. Me guxim dhe vendosmëri, ai artikuloi qartë domosdoshmërinë e ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë, duke u shndërruar në një nga mbështetësit më të palëkundur të së drejtës së popullit tonë për liri dhe vetëvendosje.

Në vitin 1989, kur Millosheviqi hoqi autonominë e Kosovës, Kongresisti Engel bashkëthemeloi Grupin për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan. Përmes këtij hapi, ai institucionalizoi mbështetjen për shqiptarët dhe e mbajti Kosovën në agjendën politike amerikane për dekada me radhë. Ai nuk ishte vetëm një aleat, por një mik i vërtetë që qëndroi me ne që nga fillimi i momenteve më të vështira të popullit tonë, e deri në fund, në rrugëtimin tonë drejt pavarësisë.

Kosova do ta kujtojë gjithmonë me mirënjohjen më të thellë. Trashëgimia e tij jeton në lirinë tonë dhe në miqësinë e palëkundur ndërmjet popujve tanë.

U prehtë në paqe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish presidentja Vjosa Osmani ka shkruar në 'Facebook' se një…